
Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda mori pjesë në takimin “Gratë refugjate dhe azilkërkuese në BE”, të zhvilluar në Bruksel me deputetet e Parlamentit Europian.
Në fjalën e saj, zonja Deda u shpreh se 2015-a ishte një vit i trishtë sa i takon azilkërkuesve të nisur nga Shqipëria, të cilët ishin rreth 100 mijë, të dytët pas Sirisë.
Deputetja shqiptare analizoi edhe burimin e kësaj dyndjeje masive të shqiptarëve, kryesisht drejt Gjermanisë.
“Shkaktarë për këtë eksod kombëtar, që vazhdon, është keqqeverisja dhe kryeministri që kanë zhytur vendin në krizë të gjithanshme dhe në mungesë shprese. Shteti dhe Parlamenti mbahen peng nga njerëz të lidhur me krimin, që nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve. Papunësia e lartë, taksat dhe çmimet e dhjetëfishuara kanë bërë që shqiptarët dhe veçanërisht gratë, nënat dhe vajza të reja, afro gjysma e azilkërkuesve, të gjejnë mundësi jetese në Evropë”, deklaroi Deda.
Sipas saj, ky eksod ka prekur kryesisht gratë dhe nënat, pasi ato vuajnë pamundësitë për të mbajtur familjen, mungesën e shanseve për arsimim, shërbim shëndetësor dhe mungesën e të ardhurave për të rritur fëmijët.
“Fatet e familjes në krizë ekonomike i përjetojnë më shumë nënat, të cilat kanë shkuar shpesh edhe drejt flijimit”, u shpreh Deda.
I mbajtur në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, takimi kishte si qëllim diskutimin e problematikave dhe qëndrimeve për gratë azilkëruese, që në të gjithë BE-në janë mbi 20% të të gjithë masës së refugjatëve. Me këtë rast, çështja e grave azikërkuese, do të jetë në rendin e punimeve të seancës së PE ditën e 8 Marsit.
Top Channel