Alarm në Serinë A, humbje prej 365 milionë eurosh

04/03/2016 12:00

Në Serinë A bie alarmi përsa i përket financave. Sipas një studimi të kryer nga e përditshmja “La Gazzetta dello Sport”, kampionati italian që dikur cilësohej si më i bukuri në botë ka regjistruar një humbje financiare prej 365 milionë eurosh në sezonin 2014-2015, shifër kjo që është më e lartë se ajo e sezonit 2013/2014, kur falimentoi edhe Parma. Në atë kohë humbjet e Serisë A ishin 220 milionë euro.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, të ardhurat në Serinë A kanë qenë pak a shumë konstante: 1.84 miliardë euro, nga të cilat 60% sigurohen nga të drejtat televizive, ndërkohë që kostot janë të larta, sidomos ato që kanë të bëjnë me pagat e lojtarëve. Në këtë pikë shtojmë edhe problemet e kartonave të futbollistëve që janë në bashkëpronësi. Shpesh realiteti maskohet nga veprime të tilla financiare si shitja e të drejtave të markës dhe vlerave të rritura në mënyrë artificiale në merkato të lojtarëve. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i pasqyrës financiare të Serisë A është rritja e vazhdueshme e borxheve të klubeve, që duket se nuk do të ndalet.
 
Duke përjashtuar Parmën, borxhi i klubeve të Serisë A sezonin e kaluar u rrit nga 1.6 në 1.7 miliardë euro. Huatë bankare u rritën me 11%, ndërsa ato të marra nga institucione të tjera financiare u rritën me 6%. Problemi është se borxhet e krijuara për të favorizuar investimet afatmesme dhe afatgjata janë një përjashtim në kampionatin italian. Udineze ka marrë një kredi prej 15 milionë eurosh për Friulin. Interi e Roma kërkojnë të bëjnë ristrukturimin e borxhit në të njëjtën mënyrë si familja Glazer te Manchester United, por kjo nuk i lë shumë të qetë tifozët e këtyre dy skuadrave.

Ka klube si Genoa dhe Chievo që kanë pranuar të paguajnë me këste detyrimet ndaj organeve fiskale dhe këtë rrugë duket se do ta ndjekin edhe skuadra të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA