Raporti për narkotikët, DASH: Shqipëria, arritje; por mbetet vend prodhues

03/03/2016 11:50

Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane.

Gjatë vitit 2015, thuhet në raport, autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madhe droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014.

“Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë”, thotë raporti.

Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë, substancash kimike bazë, ose drogash sintetikem, vlerëson dokumenti zyrtar. Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve.

Raporti vjetor i DASH për narkotikët përgatitet për Kongresin në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendeve kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave.

Duke komentuar raportin në fjalë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se bëhet fjalë për një sukses të forcave të policisë në luftën kundër drogës.

“Jemi në drejtimin e duhur në luftën kundër drogës dhe për të ndërprerë lidhjet e trafikut me shtresat e shoqërisë dhe ato të vendimmarrjes. Kemi një sukses të padiskutueshëm. DASH dha sot një konfirmim për lidershipin politik dhe atë të Policisë së Shtetit. Besoj se kjo është një ditë e mirë për policinë shqiptare”, ka thënë Tahiri.

Top Channel