Lista e zezë e SHBA, Manjani: Do shkarkohet çdo gjykatës e prokuror

03/03/2016 11:05

Në pritje për të mësuar se cilët janë gjyqtarët e korruptuar që iu është refuzuar viza amerikane, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehu gatishmërinë për të nisur procedurat e shkarkimit të kujtdo gjyqtari apo prokurori që ndodhet në këtë listë.

“Përshëndetjet më të mira për Ambasadën Amerikane për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që po na jep në këtë proces. Si ministër jam i gatshëm të çel menjëherë procedurën e shkarkimit për çdo gjyqtar apo prokuror që ndodhet në listat e kësaj natyre”, deklaroi Manjani, duke shtuar se do të kërkojë informacione nga Ambasada Amerikane.

Këtë veprim të Ambasadës Amerikane, që u ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara gjyqtarëve të korruptuar, e mbështet edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Jozyrtarisht përflitet se në listën e gjyqtarëve që u është anuluar apo refuzuar viza është edhe Gjin Gjoni, si dhe disa gjyqtarë të Krimeve të Rënda. Por derisa këto të dhëna t’u përcillen autoriteteve shqiptare, gjithçka mbetet jozyrtare.

Top Channel