Liberalizimi i vizave, BE me mision në Kosovë për verifikimin e standardeve

03/03/2016 00:00

Komisioni Europian ka vendosur që të dërgojë 6 ekspertë në Prishtinë, për të vlerësuar në terren përmbushjen e 8 kritereve të fundit për liberalizimin e vizave.

Në Ministrinë e Integrimit Europian, pas kësaj vizite presin që Komisioni Europian do të rekomandojë heqjen e vizave për kosovarët.

“Ky mision vlerësues do të pasohet menjëherë me vizitën e Komisionerit Avramopoulos, vizitë që do të ketë vetëm një epilog, vetëm një konstatim: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe të gjitha rekomandimet, që kanë dalë përgjatë procesit”, tha Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Integrimit Europian.

Pavarësisht përmbushjes së kritereve, sipas profesorit të së Drejtës Europiane, Avni Mazreku, zhvillimet e fundit politike në Kosovë mund ta shtyjnë edhe për disa muaj liberalizimin e vizave.

“Të gjitha këto sjellje iracionale që kanë ndodhur në Kosovë, së paku që nga shtatori i vitit 2015 e deri tani, ndikojnë drejtpërdrejt fazën kritike të marrjes së vendimit politik, që ndodh në Këshillin e Bashkimit Europian, përkatësisht në takimin e ministrave të Brendshëm”, tha Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Europiane.

Top Channel ka mësuar se, ekspertët e Komisionit Europian do të takohen nga data 16 deri më 18 mars, me zyrtarët kosovarë të institucioneve përgjegjëse për adresimin e 8 kritereve të kërkuara nga raporti i fundit i Komisionit në dhjetor të vitit të kaluar.

Top Channel