Juventusi mposht 1-0 Empolin. Allegri: Fitore karakteri

03/03/2016 11:40

Massimiliano Allegri rezervoi vetëm lëvdata për skuadrën e tij pas suksesit ndaj Empolit, edhe pse “Zonja e Vjetër” vuajti dhe u imponua me vetëm një gol të Mandzukiçit ndaj miqve në stadiumin torinez këtë të shtunë.

Por, për teknikun e bardhezinjve kjo ishte një fitore karakteri dhe serinë e jashtëzakonshme pozitive të formacionit të tij nuk mund ta bëjë çdo skuadër.
 
“Të fitosh nuk është kurrë e lehtë, sidomos kur kampionati numëron javët e fundit. Empoli është ekip i mirë, por ne mund dhe duhej ta kishim mbyllur ndeshjen më përpara. Duhet të përgëzoj futbollistët pasi kanë pak ditë që u kthyen nga kombëtaret. Të fitosh 20 ndeshje nga 21 nuk e bëjnë dot të gjithë. Do të vlerësojmë gjendjen e Chiellinit duke shpresuar se dëmtimi i tij nuk është i rëndë, ndërsa për sfidat e ardhshme rikthehet Bonucci”, tha trajneri i Juventusit.
 
Ai nënvizoi se pikërisht në këtë fazë të sezonit, skuadra kampione nuk duhet të humbasë përqendrimin. “Kishte një moment të ndeshjes ku secili donte të luante individualisht, por nëse angazhohemi në shërbim të skuadrës, atëherë dhe lodhja është më e pakët. Shpresoj që edhe Pogba e Morata të qëndrojnë, edhe pse të flasësh tani për merkato nuk ka sens”, tha Allegri.

Top Channel