Juve-Milan, për herë të katërt në finalen e Kupës së Italisë

03/03/2016 11:40

Milan dhe Juventus do të jenë skuadrat që do të diskutojnë finalen e Kupës së Italisë për këtë sezon që do të luhet në 21 maj, në Olimpiko të Romës. Kjo do të jetë hera e katërt që këto dy skuadra përballen me njëra-tjetrën në finalen e këtij aktiviteti në total dhe e dyta herë që luajnë në një finale të formatit me ndeshje të vetme.

Në 3 finalet e mëparshme të Kupës së Italisë, Juventusi është në avantazh, pasi e ka fituar 2 herë kundrejt 1 herë të Milanit.

Në sezonin 1941/42 Juve triumfoi pas sfidës së dyfishtë. Në “San Siro” Milani e Juve barazuan 1-1, ndërsa në Torino bardhezinjtë mundën milanezët 4-1, ku 3 gola u shënuan nga shqiptari i natyralizuar si italian në atë kohë, Riza Lushta.

Në vitin 1973 erdhi hakmarrja kuqezi me Milanin që mundi Juven në finalen e Romës pas penalltive, ndërkohë që ndeshja përfundoi 1-1. Finalja e fundit e Kupës mes këtyre dy skuadrave ishte në sezonin 1989-90, sfidë që u zhvillua me sistemin vajtje-ardhje. Në Torino sfida përfundoi 0-0, ndërsa në “San Siro” Juventusi arriti të dalë fitues falë Galias.

Milani dhe Juventusi kanë zhvilluar mes tyre edhe finalen më prestigjioze, atë të Ligës së Kampioneve të vitit 2003, finale e fituar nga kuqezinjtë pas gjuajtjes së 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi 0-0.

Top Channel