Vrasja në Durrës, arrestohet njëri prej të dyshuarve

02/03/2016 09:55

I plagosuri në krimin e ndodhur natën e kaluar në Durrës është arrestuar nga policia vendore për vrasjen me dashje në bashkëpunim të Asllan Kërtushës, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Dy kushërinjtë, Bledar Kajno, 39 vjeç, me banim në Xhafzotaj, dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, 31 vjeç, akuzohen për vrasjen në bashkëpunim të Asllan Kërtushës, pas një konflikti në ambientet e lokalit “Lord’s”, që ndodhet pranë Ujësjellës Kanalizimeve. Nën efektin e pijeve alkoolike të konsumuara në lokal, mes Kërtushës dhe Bledar Kajnos ka nisur një konflikt për motive të dobëta në të cilin është përfshirë dhe pronari i lokalit.

Në zënie e sipër, Kajnot e kanë nxjerrë Kërtushën jashtë lokalit, ku Gëzimi e ka goditur me qytën e pistoletës në kokë 30-vjeçarin, por arma është shkrepur duke plagosur në krah Bledar Kajnon. Më pas, me të njëjtën pistoletë, pronari i lokalit ka qëlluar mbi Kërtushën, i cili nga plagët e marra ka vdekur në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan dy gëzhoja model 54, kalibri 7.62 mm dhe 3 copë fishekë të të njëjtit kalibër. Gjatë natës, në funksion të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes janë shoqëruar në polici shumë persona, mes të cilëve dhe klientë e punonjës të lokalit.

Viktima ka qenë person me precedentë penalë të mëparshëm dhe njihej si pjesë e grupit të Denis Shtrazës, të riut që u arrestua nën akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së Gaz Çollakut. Kërtusha është ndaluar disa herë për konfliktet në lokalet e natës dhe kundërshtim të punonjësve të policisë, ndërsa është proceduar penalisht edhe për vjedhje, plagosje të lehtë, prodhim e mbajtje narkotikësh.

Top Channel