
Avokati i Popullit Igli Totozani i ka propozuar një ligj të ri ministres së Inovacionit, Milena Harito, “Për sjelljen e mirë administrative”.
Totozani thotë se ligji i ri është përshtatur me Kodinr Europian të Sjelljes së mirë administrative. Ai u garanton qytetarëve standard dhe shërbim korrekt nga administrata publike.
“Gjykojmë se në qendër të reformës në administratën publike duhet të jetë njohja nga shteti se individi gëzon një të drejtë themelore për administrim të mirë. Ndryshimi radikal në mentalitetin në favor të sigurimit të një administrate publike transparente dhe të përgjegjshme që do të trajtojnë qytetarin me drejtësi, në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim do të jetë padyshim rezultat jo vetëm i ekspozimit të përgjithshëm të vendit në konceptet moderne të administrimit të mirë, por edhe për të ruajtur parimet themelore që përbëjnë thelbin e qeverisjes së mirë”, shprehet z. Totozani.
Avokati i Popullit thekson se ky ligj ndoshta për herë të parë do t’i japë të drejtat individit në një nivel administrativ, dhe do të ndihmojë qytetarin të kuptojë më mirë se cilat janë standardet që duhet të presin nga institucionet përgjegjëse të Administratës Publike.
Por nga ana tjetër, ligji i propozuar nga Totozani do të shërbejë edhe si një udhëzues për çdo nëpunës civil në marrëdhëniet e tij me qytetarët.
Top Channel