Stërvitja e ushtrive të NATO-s, “Në fokus ndryshimet e sigurisë globale”

02/03/2016 00:00

Çdo vit NATO organizon konferencën e sinkronizimit të stërvitjes së saj. Për mbajtjen e kësaj konference për 2016-n është zgjedhur Tirana.

Konferenca ka në qendër të diskutimeve të saj mënyrën e zhvillimit të trajnimit për trupat ushtarake, duke parë situatën e ndryshuar të sigurisë globale.

Për këtë vit, ajo do të orientohet duke patur parasysh edhe konfliktet në Ukrainë e Siri. Një ndër gjeneralët kryesorë të drejtimit të forcave ushtarake të NATO-s, Graham Stacey tha për mediat në Tiranë se, ushtria shqiptare deri më tani ka kryer më së miri stërvitjen dhe trajnimin, sipas orientimeve të Aleancës.

Shqipëria i kërkoi NATO-s një ditë më parë ngritjen e një qendre ekselente për luftëtaret e huaj. Për këtë, gjeneral Stacey shprehu dakordësinë e tij, por ngritja do të dojë edhe një vendim politik.

“Thelbi i kapaciteteve është trajnimi dhe stërvitja, prandaj kjo konferencë në kalendarin tonë vjetor është më e rëndësishmja. Unë u takova me ministren e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ata më shpjeguan arsyet për një qendër ekselence në Shqipëri. Qendrat e ekselencës është thelbi për mënyrën si funksionon çdo gjë në NATO dhe japin bazën intelektuale për të gjitha sfidat që përballojmë sot. Ngritja e kësaj qendre është një vendim që i përket nivelit politik në NATO”, deklaroi Stacey.

Në konferencë marrin pjesë 350 përfaqësues të vendeve të NATO-s, ku 25 janë gjeneralë të komandave dhe strukturave të ndryshme. 

Top Channel