Shqetësimi për refugjatët, Alfano fton Tahirin në Itali

02/03/2016 19:50

Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano i ka kërkruar homologut shqiptar Saimir Tahiri një takim në Romë, ku tema kryesore e diskutimit është ajo e emigrantëve sirianë të ndodhur në kufirin greko-maqedonas.

Takimi nuk ka një datë zyrtare, por kriza në mbërritje duket se do ta shpejtojë atë. Kërkesa e ministrit të Brendshëm Alfano ka ardhur pak ditë përpara se mediat italiane të publikonin lajmet se, Italia po merr masa per një skenar të mundshëm mbërritjeje masive emigrantësh në rajonin e Pulias.

Mediat italiane, duke cituar burimet e tyre jozyrtare kanë shkruar se, janë dërguar forca ushtarake dhe mjete shtesë në zonat e Brindizit dhe Barit. Shqetësimi i autoriteteve italiane është aq i madh, sa kjo çështje u diskutua edhe gjatë takimit mes kryeministrit italian Matteo Renzi dhe kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Junker.

Megjithëse për të mos krijuar alarm ata nuk e theksuan këtë aspekt gjatë konferencës për shtyp, mbetet i madh shqetësimi i autoriteteve jo vetëm për menaxhimin e një fluksi të tillë, por edhe për mundësinë e inflitrimit të militantëve e terroristëve të ISIS mes emigrantëve.

Por shqetësimi në Shqipëri nuk është kaq i lartë sa në vendin fqinj. Pavarësisht deklaratës së kryeministrit Rama se, do të mbyllë kufijtë, ministri i Brendshëm ka dhënë një urdhër për përforcim kufiri dhe mbajtjen në gatishmëri të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Shumë efektivë të FNSH-së u vendosën në kufirin e gjelbër shqiptaro-grek pas kërkesës për asistencë të Drejtorisë së Kufirit në qarkun juglindor. Në vijën e gjelbër janë vendosur edhe kamera nate, të pozicionuara në disa prej fshatrave në zonën e Devollit.

Më herët, autoritetet vendore në zonat në rrezik caktuan vendin ku do të vendosen refugjatët. Ndërtesa në afërsi të Kapshticës, e cila ka shërbyer si repart ushtarak dhe që prej kohësh ishte marrë nga një firmë e përpunimit të hekur-nikelit, do të shërbejë këtë herë si vendstrehim për këta klandestinë.

Top Channel