Rama: Fermerët, jo vetëm kultivues por edhe eksportues në BE

02/03/2016 00:00

Me anë të mbështetjes financiare, qeveria do të bëjë të mundur që fermerët shqiptarë të mos jenë thjesht kultivues të produkteve bujqësore, por edhe eksportues të konsoliduar dhe certifikuar në BE. Kryeministri Edi Rama ka vizituar një serë dhe një pikë grumbullimi në Bubq të Fushë Krujës.

“Ne e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave këto 2 vjet. Po ecëm me këtë ritëm do të kemi një mbulim të atillë në territor që do të mund të kemi një rritje të mëtejshme të eksportit dhe do të ezaurojmë kërkesën e tregut vendas për një sërë produktesh duke vazhduar ta ulim deficitin tregtar. Ndërkohë që unë do ju nxisja që të përfitoni nga programi i ri i mbështetjes së bujqësisë, qoftë për serat, ku ne për çdo 10 hektarë sera japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për çdo fermë 100 ha japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkt mbështetje. Ndërkohë me fondin e garancisë që kemi ndërtuar tani në bashkëpunim me BERZH janë 300 milion euro në dispozicion në tre vitet e ardhshme për gjithë ata që duan të investojnë, duke marrë kredi me interes të ulët. Të gjithë këtë punë do ta bëjmë ne si shtet, duke ndërmjetësuar mes fermerëve, sipërmarrjeve, bankave dhe duke i dhënë një shtytje të madhe kësaj historie që është një histori suksesi që ka filluar të japi rezultate e para, por prapa ka akoma shumë potencial”, tha Rama.

Përmes programeve mbështetëse për zhvillimin e Agrobiznesit dhe Agropërpunimit qeveria subvencionon ndër të tjera 50% të vlerës së ndërtimit për objektet në shërbim të bujqësisë si magazina grumbullimi dhe përpunimi, frigoriferë, etj, në mënyrë që produktet e fermerëve shqiptarë të kenë cilësinë dhe kushtet që i kërkon tregu ndërkombëtar.

Top Channel