Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka qenë gjithnjë e përfshirë në zhvillimet në Shqipëri. Por ka shqiptarë që kërkojnë që ajo të përfshihet më shumë.
Njëri prej tyre e pyeti pikërisht për këtë ambasadorin Donald Lu në një bashkëbisedim në rrjetet sociale.
“Pyetje shumë e mirë. Korrupsioni është një prioritet kryesor i qeverisë së SHBA në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona dhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar pamë sesi partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, u përgjigj Lu.
Për Shtetet e Bashkuara, lufta kundër korrupsionit fillon nga ata që nuk e ndëshkojnë atë: gjyqtarët. Pak kohë më parë vetë Lu e denoncoi kështu korrupsionin e togave të zeza.
“Nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni gjyqtarë të korruptuar”, tha Lu.
Por Shtetet e Bashkuara kanë nisur tashme ndëshkimin ndaj tyre. “Së fundmi, qeveria e SHBA u ka ndaluar hyrjen disa gjykatësve të korruptuar duke iu refuzuar apo anuluar vizën. Ky është vetëm fillimi! Kemi më shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”, deklaroi Lu në bashkëbisedimin në rrjetet sociale.
Por kush janë gjyqtarët që qeveria amerikane u ka refuzuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara? Top Channel ka mësuar dhe konfirmuar në mënyrë indirekte se bëhet fjalë për gjyqtarin Gjin Gjoni.
Gjoni ka aplikuar pak kohë më parë për vizën amerikane, por sipas informacioneve të sigurta, konfirmuar edhe nga persona prezentë në momentin e marrjes së përgjigjes, gjyqtarit i është refuzuar viza.
Ambasada amerikane nuk jep zakonisht shpjegim për refuzime të tilla, por ka gjithnjë përjashtime. Në këtë rast, motivi i refuzimit është publik nga vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara.
Top Channel