Klubet angleze kërcënojnë me bojkot të Champions-it

02/03/2016 12:45

Klubet më të rëndësishme angleze kërcënojnë me bojkot të Ligës së Kampioneve për të krijuar një turne më vete. Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi “The Sun”, sipas të cilit përfaqësues të Manchester City, Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Chelsea zhvilluan një takim me manjatin amerikan Stephen Ross në hotelin Dorchester të Londrës për të biseduar në lidhje me një projekt për krijimin e “European Super League”.

Gjithnjë sipas “The Sun”, Ross, pronar i skuadrës së NFL-së Miami Dolphins, ka shfaqur interes për krijimin e këtij turneu që do të sillte edhe fundin e UEFA Champions League, gjë që do të përbënte edhe ndarjen më të madhe në historinë e futbollit evropian. Biznesmeni amerikan është edhe promovuesi i “International Champions Cup” që zhvillohet në muajt e verës, ku marrin pjesë skuadrat më të rëndësishme të Kontinentit të Vjetër.

Formati i “European Super League” i lejon ekipet e Premier League të përballen me rivalet më të mëdha të Evropës dhe të evitojë rrezikun e humbjes së përfitimeve financiare në rast eliminimi të parakohshëm, gjë që ndodh në Ligën e Kampioneve aktuale.

Ekipet që mund të përfitojnë nga ky projekt janë Manchester United, Chelsea dhe Liverpool që mund të mbeten jashtë zonës së Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm. Mësohet gjithashtu se mendohet që në këtë turne të bëhen ftesa në drejtim të klubeve të tillë si Barcelona, Real Madrid, Milan, Bayern Munchen dhe Olympiakos.

Top Channel