Debate të forta u shënuan mes opozitës dhe mazhorancës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nga supozohej të arrihej dakordësia për miratimin e akteve nënligjore.
Fatmir Xhafaj nga mazhoranca dhe Kastriot Islami nga opozita kishin një pyetje të përbashkët. A është në tagrin e Kuvendit miratimi i këtyre akteve nënligjore? Përgjigjen e dha Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla.
“Rezulton se Kuvendit në rastin konkret i kërkohet që të ushtrojë funksionin e tij legjislativ. Funksion të cilin në vlerësimin tonë e ushtron nëpërmjet miratimit të projektligjeve dhe projektvendimeve”, tha sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit Albana Shtylla.
Por, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pavarësisht nga kjo përgjigje, ishte i prirur në gjetjen e konsensusit.
“Opozita mendon që nuk ka asnjë problem kushtetues dhe kundërvënie tjetër ligjore për zbatimin e këtij ligji. Ne të ecim përpara dhe të arrijmë konsensusin për të nxjerrë aktet në zbatim dhe të vazhdojmë punën”, tha Meta.
Demokrati Oerd Bylykbashi e kundërshtoi formularin e Taulant Ballës duke argumentuar se lë shteg për kalimin e personave të inkriminuar.
“Në pjesën më të madhe është gjetur konsensuli, disa çështje që kanë ngelur do të diskutohen nesër. Çështje të përqasjes ndaj çështjeve që janë parashikuar në ligj”, tha Balla.
“Nuk ka dakordësi për aktet që janë detyrim për miratim nesër në Kuvend. Projektvendimi është i padakordësuar sepse PS ka kopjuar aktin e përgatitur nga PD-ja dhe siç ndodhi në shtator, ka hequr pjesë kryesore, të cilat janë themelore për funksionimin e procesit të verifikimit”, u shpreh Bylykbashi.
Pavarësisht se debatet kanë zgjatur për rreth 4 orë, palët duken ende larg konsensusit për miratimin e amendamenteve që do të fusin në fuqi ligjin e dekriminalizimit. Kjo çështje padyshim do të jetë pika më e nxehtë e debateve në Parlament gjatë së enjtes.
Top Channel