Çako takon krerët e Frontex: Bashkëpunim operacional

02/03/2016 20:55

Drejtori përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka zhvilluar ditën e sotme në ambientet e selisë qendrore të Frontex në Varshavë, një takim me drejtorin ekzekutiv të kësaj agjencie, Fabrice Leggeri.

Qëllimi i takimit ishte rishikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit operacional ndërmjet FRONTEX dhe policisë shqiptare, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe nëndrejtori i Frontex, Berndt Korner, drejtuesi i sallës operacionale të agjencisë, shefi i sektorit të analizës së rrezikut dhe zyrtarë të tjerë.

Ndërsa drejtori Çako shoqërohej nga drejtori për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza. Gjatë këtij takimi, kreut të Policisë së Shtetit iu bë një prezantim i detajuar i programeve dhe iniciativave të ndërmarra në kuadër të përballimit të fluksit të emigrantëve.

Më pas, drejtori i qendrës operacionale të Frontex, Klaus Rosler paraqiti aktivitetet operacionale të agjencisë për vitin 2016. Gjithashtu u diskutua mbi vështirësitë që paraqet përballimi i flukseve të reja migratore nga vendet e prekura nga lufta në drejtim të vendeve të rajonit tonë dhe më pas të atyre të Evropës veriore dhe perëndimore.

Të pranishmit në këtë takim e vunë theksin mbi mundësimin e rritjes së bashkëpunimit midis Frontex dhe vendeve të tjera të cilat nuk janë anëtare të BE-së.

Drejtuesit e agjencisë evropiane falënderuan zotin Çako për impenjimin e tij personal dhe atë të institucionit që drejton në përballimin dhe luftën e përditshme kundër emigracionit të paligjshëm.

Nga ana e tij Çako i garantoi të pranishmit për angazhimin maksimal të policisë shqiptare në bashkëpunimin me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

“Jo vetëm angazhimi i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, por në tërësi i të gjithë Policisë së Shtetit do të jetë maksimal, me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e standardeve që kemi arritur deri më sot, falë bashkëpunimit me Frontex dhe misionet e tjera ndërkombëtare”, u shpreh Çako.

Në këtë kontekst konsiderohen edhe trajnimet që do të zhvillohen në muajt në vazhdim mes policisë shqiptare dhe atyre të Frontex.

Top Channel