As vezë, as bojkot! Basha nën kritikat e deputetëve, edhe të Berishës

02/03/2016 00:00

Lulzim Basha ishte i pari që përmendi në mbledhjen e grupit parlamentar fjalën “bojkot”, si një alternativë për t’u diskutuar nga grupi në një situatë kur ai e cilëson në përkeqësim të vazhdueshëm. Por bojkoti nuk ka gjetur përkrahës mes grupit parlamentar.

“Dhe pas një diskutimi të gjatë, konstruktiv, të hapur e demokratik, vendimi është bllokimi i seancës parlamentare nga grupi parlamentar, nëse mazhoranca nuk refeflekton”, deklaroi Basha.

Ajo çfarë Lulzim Basha e quan një “diksutim të hapur dhe demokratik” ka qenë në fakt thuajse një kryqëzim i strategjisë së hartuar prej tij përballë qeverisë nga ana e deputetëve demokratë. Zërat më kritikë kanë qenë ata të Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut.

“Nuk mund të lejoj që ta kthesh partinë në një OJQ, si në pjesëmarrje, edhe në mesazhe”, iu drejtua Bashës ish-nënkryetarja demokrate, e cila ngre prej kohësh shqetësimin se strukturat e partisë janë inekzistente dhe se grupi parlamentar është lënë vetëm në betejën e tij.

Ndërsa Majlinda Bregu përmendi edhe protestën e grave të martën, poshtë zyrës së Ramës, si një nga argumentet se Partia Demokratike është pa strategji dhe merr vendime afatshkurtra e kaotike.

“A kemi një strategji se cfarë do të bëjmë deri në zgjedhje? Sepse veprimet tona janë të pakuptueshme. Armando Prenga vjen në Parlament, ne dalim në protestës për fjalët e Ramës. Bashkia rrit taksat, ne shkojmë për protestë tek Liqeni”, tha Bregu.

I pakënaqur me Bashën u shpreh edhe ish-kryetari Sali Berisha. Sipas tij, selia blu nuk ka qenë e suksesshme për t’u shpjeguar qytetarëve se, për reformën në drejtësi dhe Byronë e Hetimit, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë opozitës. Ndryshe nga kritikat e kolegeve femra, nga kritika e ish-kryetarit duket se Lulzim Basha reflektoi pas mbledhjes.

“Do të përballet me vendosmërinë tonë nesër në Parlament, sikundër i jap fjalën që nuk do të shpëtojë dot nga një drejtësi e reformuar, nga një prokurori e reformuar, nga një kapacitet hetues për korrupsionin në nivele të larta. Venecia ka folur qartë. Venecia na ka dhënë të drejtë. Herët a vonë, Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të ketë të bëjë me shkaktarin e kësaj krize të gjithanshme, që quhet Edi Rama”, deklaroi Basha.

Mbledhja e grupit vjen një ditë pas takimit të Berishës me ambasadorin amerikan Donald Lu, lidhur me të cilin Top Channel raportoi se amerikanët ngritën shqetësimin se opozita duhet të përdorte argumenta dhe jo vezë.

Lulzim Basha këtë nuk e tha, por Top Channel ka marrë konfirmim se në këtë rast, heshtja e tij është një miratim për shqetësimin e amerikanëve.

Top Channel