Arrihet marrëveshja me biznesin, hiqet taksa e tavolinës

02/03/2016 00:00

Bashkia e Tiranës përfundoi negociatat e nisura në fundjavë me përfaqësuesit e biznesit me një marrëveshje që zeron taksën prej 2500 lekësh për tavolinë kur ato zënë hapësirat publike.

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj sqaroi se mënyra e re mbi të cilën do të paguajnë subjektet do të jetë për çdo metër katror të zënë.

“Ambicia jonë është për një qytet për trotuare të pazëna. Nuk është qëllim në vetvete numërimi i tavolinave, por në fakt është sa hapësirë zënë, ndaj dhe ramë dakord që mënyra e matjes të jetë për metër katror. Mendoj që është një lehtësi për të gjithë ata që bëjnë llogaritë”, u shpreh Veliaj.

Paralelisht me këtë u ra dakord që të ndryshohet harta e Bashkisë, sipas së cilës do të përllogaritet tarifa e hapësirave të zënë nga bizneset. Kështu, zona A është rrudhur në zonën e “Bllokut”, bulevardit dhe disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit. Këtu bizneset do të paguajnë 1500 lekë për metër katror. Në zonën B, zënia e hapësirës publike do t’i kushtojë biznesit 750 lekë për metër katror, ndërsa në zonën C 400 lekë për metër katror.

Sa i përket periferisë së Tiranës, tarifa për çdo metër katror të zënë është 200 lekë. “Duke qenë se jo e gjithë zona e qendrës është ekskluzivisht komerciale, nuk ka kuptim që zona A të përfshije këto që janë zona më të shtrenjta për kryeqytetin, aty ku për çdo tavolinë dhe për çdo mallë që shërbehet kostoja është më e lartë”, tha Veliaj.

Për muajit janar dhe shkurt, Bashkia thotë se bizneset do të paguajnë sipas tarifave të vjetra, duke qenë se nuk ishin të informuara për ndryshimin e tyre. 

Top Channel