Rrëzohet kërkesa e PD-së për heqjen e mandatit të Sulit

01/03/2016 00:00

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit socialist Rakip Suli. Demokratët pretendojnë se djali i deputetit Suli ka përfituar para publike nga dhënia me qira e një ndërtese tek kompania e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Bëhet fjalë për konflikt të hapur interesi. Suli ka qenë pronar i kompanisë dhe ia ka dhuruar të birit, i cili ka përfituar nga fondet e OSHEE, që janë fonde publike”, tha Ristani.

Por, avokati i deputetit thotë se në momentin e nënshkrimit të kontratës, OSHEE nuk ishte ent publik.

“Përpara marrjes së mandatit hoqi dorë nga kuotat e shoqërisë. Po t’i referohemi statusit të ekstraktit të QKR-së të shoqërisë OSHEE, në momentin e lidhjes së kontratës dt 3. 10. 2014 provohet se aksionere e shoqërisë në masën 76 për qind të aksioneve ka qenë shoqëria private CEZ Sha, është lidhur mes dy kompanive private”, u shpreh avokati.

Pasi u tërhoq për të marrë vendim, Këshilli rrëzoi kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit socialist, vendim të cilin opozita e cilëson antikushtetues.

“Ky mendim i tyre vjen pasi ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që shpjegon qartë që Parlamenti nuk mund t’ia fshehë gjykatës raste të tilla. Ata janë të mendimit që t’i propozojnë Parlamentit për t’ia fshehur gjykatës rastin konkret. Kleptokratët e mazhorancës vazhdojnë të përfitojnë fonde publike, ja përfituar 200 mln lekë nga fondet e OSHEE”, tha Ristani.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta