NATO, Kodheli-Stacey: Stërvitja dhe trajnimi, të rëndësishme për planin e gatishmërisë

01/03/2016 13:05

Për herë të parë konferenca për sinkronizimin e NATO-s mbahet në Tiranë. Puniemt tre ditore kanë si qëllim diskutimin për zhvillimet e fundit përgjatë gjithë spektrit të trajnimit të NATO-s.

Këtë vit një rëndësi e veçantë i jepet edukimit, trajnimit dhe stërvitjes me qëllim avancimin në implementimin e planit të gatishmërisë së NATO.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është takuar në nisje të punimeve me shefin e Shtabit të Komandës së Aleancës për Transformim (ACT), Graham Stacey.

“Edukimi, trajnimi dhe stërvitjet janë fusha me interes të madhe për të ruajtur ndërveprimin. ‘TridentJuncture 2015’ ishte njëperformancë e shkëlqyer e vendosmërisë së aleatëve dhe unë pata një përshtypje mjaft të mirë nga trupat tanë pjesëmarrës në këtë stërvitje. Ajo stërvitje ishte shembulli më i mirë i vendosmërisë së Shqipërisë për të kontribuar në sigurinë e Aleatëve, dhe në këtë kuptim ne jemi krenarë që kemi deklaruar një kompani në Task Forcën e përbashkët të NATO-s për periudhën 2016-2018” është shprehur ministrja Kodheli.

Të dy personalitetet u ndalën tek sfidat e sigurisë me të cilat po përballet sot Aleanca në kufijtë jugorë dhe lindore të saj, sidomos me fenomenin e luftëtarëve të huaj. Znj. Kodheli njohur Stacey edhe me propozimin e Shqipërisë për ngritjen në vendin tonë të një qendre ekselente të NATO për luftëtarët e huaj.

Top Channel