Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së ka një propozim për mënyrën sesi duhet të gjendet konsensusi mes palëve brenda Komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Në rast se nuk arrijmë dot të kemi një lexim apo interpretim të njëjtë të aktorëve politikë apo parlamentarë, atëherë do t’i kërkojmë asistencë misionit të EURALIUS-it apo të OPDAT-it”, u shpreh kryeparlamentari Meta.
Pavarësisht se pjesë e mazhorancës, Meta, ashtu si dhe Petrit Vasili një ditë më parë, theksin e vuri te nxitja e mbledhjes së Komisionit të Reformës në Drejtësi, tashmë që kanë ardhur rekomandimet përfundimtare të “Venecias”.
“Tani nuk ka më asnjë arsye, përse të mos ndërtohet procesi politik, kalendari i komisionit të posaçëm në Parlament”, tha më tej kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Drafti që duhet të dalë nga tryeza politike e reformës në drejtësi – këmbëngul Ilir Meta, – duhet të jetë konsensual dhe për këtë, kreu i Kuvendit nuk gjen arsye se përse të mos jetë i tillë.
“Ne jemi të bindur, dhe kur flas për ne e bëj në emrin tim dhe besoj edhe të LSI-së, askush nuk ka arsye të mungojë në dhënien e kontributit në këtë reformë shumë të rëndësishme. Natyrisht, ne nuk mund t’i imponohemi askujt, pastaj secili merr përgjegjësitë e tij”, deklaroi Meta.
I pyetur për një skenar të mundshëm B, në rast të dështimit të reformës, Ilir Meta tha se të gjithë duhet t’i përqëndrojnë energjitë pozitive te skenari i gjetjes së konsensusit.
Top Channel