Klonimi i serverit të Tatimeve, Cani refuzon komisionin. Vartëset: Vetëm ai kishte dijeni

01/03/2016 00:00

Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani nuk u paraqit të dëshmonte përpara komisionit hetimor për klonimin e të dhënave nga serveri i Tatimeve, ndërsa nuk kishte paraqitur as ndonjë arsye.

Klonimi i të dhënave nga serveri i Tatimeve dy vite e gjysmë më parë, nga një grup auditi i Ministrisë së Financave, ku ishte edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho, është objekt i punës së komisionit hetimor parlamentar, i cili në mungesë të ish-ministrit Cani vijoi me pyetjen e dy zyrtarëve të Ministrisë së Financave.

“Unë nuk kam lidhje me proceset e auditimit, për arsye se auditimi është një mjet në duart e titullarit, që në këtë rast është ministri i Financave”, tha Gelardina Prodani, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Financave.

“Jam informuar nëpërmjet medieve në atë moment, si të gjithë të tjerët. Nuk jam në dijeni të procesit”, tha Gentjana Halili, drejtoreshë e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave.

Gjatë pyetjeve rezultoi se, auditi i kontraktuar ishte bërë në një kohë kur nuk kishte kritere, që përcaktonin mënyrën e e procedurës që duhej ndjekur për këtë lloj auditi.

“Ligji i vitit 2007 kishte përcaktuar nxjerrjen e një VKM-je me kriteret. Në dispozitat tranzitore të ligjit të 2007-s thuhej që ky VKM duhej të dilte brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. VKM-ja nuk ka dalë asnjëherë. Nuk ka pasur kritere sesi bëhet auditimi me nënkontraktim”, tha më tej Gentjana Halili, drejtoreshë e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave.

Dëshmia e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, pritet të sqarojë pikëpyetjet që janë ngritur në komisionin hetimor për klonimin e të dhënave të serverit të Tatimeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta