Ersekë, arrestohet drejtori i Ujësjellësit

01/03/2016 14:00

Policia e Ersekës ka ndaluar shtetasin Oresti Malushi, drejtor i degës lokale të Ujësjellësit në këtë qytet, i akuzuar për kërcënimin me armë të një biznesmeni.

Policia njofton se ndalimi i tij është bërë me urdhër të prokurorisë.

Emri i Oresti Malushit do të bëhej publik dy ditë më parë nga Partia Demokratike. Përmes kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, selia blu akuzoi kryeministrin “Edi Rama se ka thërritur banditë nën armë”, duke iu referuar këtu ngjarjes në fjalë.

“Njeriu, të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedentë penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez dhe godet e kërcënon demokratët. Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS-së së Leskovikut, Sergei Peshtani, dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur”, bën të ditur Alibeaj.

Kreu i PS-së së Leskovikut, Sergei Peshtani ka mohuar gjithçka dhe një ditë pas deklaratës së Alibeajt ka dorëzuar  një padi për shpifje ndaj kreut të Departamentit të Rendit në PD, ku thotë se do të kërkojë dëmshpërblim në vlerën e 1 lekëve për akuzat, sipas tij, të pabaza dhe politike.

Demokratët patën akuza edhe për uniformave blu të Ersekës, të cilat i akuzuan për fshehje të ngjarjes. Kjo deklaratë është pasuar nga një reagim i Policisë së Korçës e cila ka sqaruar se ngjarja ishte nën hetim dhe se shtetasi i dyshuar u la i lirë për mungesë të kallëzimi.

Top Channel