Njësoj si dy muaj më parë, Donald Lu ia dorëzoi vet Sali Berishës dokumentin e opinionit të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.
Njësoj si dy muaj më parë, të dy shprehën bindjen se, dokumenti përbën një bazë të qëndrueshme për të ecur përpara dhe për të kompletuar reformën në drejtësi.
Njësoj si dy muaj më parë, Sali Berisha foli për rëndësinë e nisjes pa humbur kohë të krijimit të njësisë Antikorrupsion, e njohur ndryshe si Byroja e Hetimit, për të cilën “Venecia” rikonfirmoi pavarësinë nga qeveria.
Por, ndryshe nga dy muaj më parë, në bisedën mes Donald Lusë dhe Sali Berishës ka pasur një temë të re: përdorimi i vezëve nga opozita, si mjet i luftës parlamentare.
Top Channel mësoi se, ambasadori Lu i ka shprehur ish-kryeministrit mosrënien dakord për këtë veprim të Partisë Demokratike, të enjten në Parlament. Kundërshtimi i ambasadorit për përdorimin e vezëve, apo mjeteve ekstraparlamentare në sallën e Kuvendit nga opozita, vjen dy ditë përpara mbajtjes së seancës tjetër plenare.
Demokratët nuk janë mbledhur ende për të vendosur çfarë do të bëjnë të enjten, por shprehja si e papranueshme nga ambasadori Lu për gjuajtjen me vezë, mund të ndikojë te sjellja e opozitës, por jo te zbutja e qëndrimit të saj politik.
Sipas ish-kryeministrit, besnikëria e Edi Ramës ndaj krimit e bën vendin shumë të pasigurtë. Të hënën, edhe Lulzim Basha e lidhi fatin e procesit të dekriminalizimit me stabilitetin e vendit, dhe e cilësoi atë si prioritetin e prioriteteve. Ky debat, me siguri do të dominojë edhe seancën e së enjtes, ku do të mbetet të shihet sesa vend do të zënë fjalët e Donald Lusë, që së paku seanca të dominohet nga argumentet dhe jo nga vezët e opozitës.
Top Channel