Nga Aleksandër Çipa – Mediat ndërkombëtare po shumëfishojnë lajmet për dyndjen e pandalshme të refugjatëve sirianë, irakianë dhe afganë në Greqi. Kjo dyndje pason bllokimin e kufijve nga shtetet fqinje me Greqinë, sidomos me Maqedoninë, si dhe bllokimin e pjesshëm në Kroaci, Serbi, Slloveni dhe Austri. Deklarata e para pak ditëve e Kryeministrit Edi Rama, se Shqipëria nuk ka kapacitete për përballimin e valës, shkaktoi reagime nga BE-ja dhe u vlerësua me maturë nga qeveria e Athinës.
Mirëpo ajo që po afrohet nuk mund të karakterizohet më me deklarata. Në dy pika të përfolura për mundësinë e mbërritjes së refugjatëve nga Lindja e Mesme apo e Afërt, pra në Gjirokastër dhe në periferi të Korçës, ka një përgatitje minimale. Mospërgatitja shqiptare për këtë valë të mundshme është e njëjtë me paaftësinë e BE-së për ta administruar dhe për ta paralajmëruar se deri ku do të shkojë ky subjekt “arratie” që tejkalon edhe imazhet e mbartura nga letërsia biblike apo ajo apokaliptike.
Shqipëria është shteti i vogël, që vijueshmërisht në 104 vjet të ekzistencës së vet përleshet me vetveten dhe përpëlitet ekzistencialisht në varfërinë e pashqitshme. Vala e pritshme e refugjatëve, si shifër e parë e përfolur në rreth 80 mijë persona, përbën një situatë të re tronditëse. Ndaj saj nuk mund të vijohet me pritmëni apo thjesht me shpresën se administrata e emergjencave humanitare e BE-së do të shumëfishojë mbështetjen apo akordimin e ndihmave ushqimore e monetare për t’ia bërë Shqipërisë më të lehtë këtë përballim të situatës së pazakontë.
Ndaj kësaj vale nevojitet rishikim i strukturës së emergjencave civile, rivlerësim i kapaciteteve dhe fuqisë njerëzore, e cila do të rekrutohet si administratë në funksion të këtij “lumi njerëzor” që do të derdhet në kufijtë jugorë, sikundër prej disa muajsh është derdhur e vijon të mos reshtë në ishujt dhe portet e Greqisë.
Imazhet tronditëse, të paimagjinuara as në letërsinë më të arrirë të ekzilit dhe dënimeve historike në botë, janë tragjedi vijuese në tokën greke. Ishulli Lesbos prej kohësh është në epiqendër të raportimeve dhe të ekraneve të botës. Ndërkohë që tragjeditë e zhdukjes së qindra refugjatëve nga shtetet e Lindjes së Mesme në detet e Mesdheut dhe në ishujt e rajonit tonë, janë bëma të parrëfyeshme dhe të zhytura në harresë dhe pavëmendje njerëzore. Por kjo është edhe më e frikshme. Kjo tragjedi po mbërrin edhe në viset tona.
Shumë pak reporterë shqiptarë në Greqi kanë përcjellë dy apo tri kronika. Mirëpo në muajin e ardhshëm paralajmërohet se në kampet e përgatitura shqiptare mund të vërshojë lumi i njerëzve në kërkim të një destinacioni të paditur e të panjohur. Po presim një lumë njerëzish që mund të mbeten gjatë ndër ne. Realiteti i tyre i strehuar brenda territorit tonë, pashmangshmërisht mund të konvertohet në një shumësi problemesh për vetë shoqërinë tonë.
Ndaj këtij realiteti të pashmangshëm me kohë do të duhej të hapnim edhe ne një debat dhe diskutim publik. A duhet t’i hapim portat edhe ne? Pse e refuzon diçka të tillë Maqedonia fqinje? Po Austria pse? A mjafton humanizmi ynë përballë këtij lumi të madh njerëzor? Dhe si mund të administrohet masa e njerëzve? A po rrezikohemi nga vërshimi i pakontrolluar, nëse pretendojmë se do e hapim vetëm paksa portën tonë të kufirit në Jug të vendit? Në shumicën e qyteteve të vendeve të Europës Lindore e Juglindore janë refuzuar kuotat e parashikuara nga BE-ja. Diçka e tillë, për arsye ekzistenciale, nevojitet të shprehet e pohohet edhe në emër të Shqipërisë.
E në fund të fundit, a po rrezikohemi ta kthejmë Korçën apo Gjirokastrën, në emër të humanizmit dhe solidaritetit ndërkombëtar, në një “Lesbo” si në Greqi?!
Të gjitha këto dilema, së pari kanë nevojë për një prononcim të hapur e transparent nga autoritetet tona. I pari dhe saktësisht nevojitet të shprehet Kryeministri Rama dhe të pohohet se cili është kapaciteti real i mundësisë për pritje dhe se cila është vala që do të na vijë. Sa dhe deri kur do të presin e do të qëndrojnë refugjatët në këtë vend?! Kjo e vërtetë nevojitet të njoftohet dhe parashikohet, nëse nuk duam që fatin e trazuar të Lesbos apo ishujve e porteve të Greqisë ta kemi si imazh të nesërm e të pasnesërm edhe në qytetet tona në Jug.
Top Channel