Kryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa u shfaq optimist për mbështetjen që sipas tij opinioni përfundimtar i Venecias i ka dhënë draftit të ekspertëve të nivelit të lartë, veçanërisht në një pikë: atë të krijimit të institucioneve të gjyqësorit.
“Ky opinion përfundimtar, në veçanti vlerëson si të pranueshme dhe efikase strukturën e organeve të reja të drejtësisë, të propozuara në projektin e ri kushtetues, ndaj është jo vetëm naive, por dhe pa ndonjë dobi dhe përfitim politik, si dhe në kundërshtim me interesin publik të vazhdohet tëthuhet se komisioni i Venecias na paska rrëzuar p[rojektin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Xhafa.
Por vetëm pak minuta më vonë, opozita deklaroi gjithashtu se opinion final i Venecias i dha mbështetjen opozitës për shqetësimet e ngritura për ndryshimet kushtetuese.
“Meqë kishte shqetësimin e ndaljes së trenit zoti Rama, për fat të keq ky raport përfundimtar ia nxorri trenin e reformës së drejtësisë, siç e donte kryeministri, ia nxorri nga shinat”, tha Oerd Bylykbashi.
Eduard Halimi, nënkryetari demokrat i komisionit të reformës plotësoi deklarimin e kolegut Bylykbashi, kur deklaroi se Venecia i dha të drejtë opozitës për shqetësimin se mazhoranca përmes propozimeve të para, po kapte institucionin e drejtësisë. Megjithatë opozita tani pret reagimin e mazhorances.
“Aty ka çështje që duhet t’i nënshtrohen dialogut politik dhe është detyrë e qeverisë dhe maxhorancës të krijojë kushte për një dialog politik i cili t’i japë zgjidhje të gjitha çështjeve për të cilat komisioni i Venecias flet qartë”, tha Halimi.
Kësaj deklarate të opozitës kryetari i komisionit Fatmir Xhafa i parapriu.
“Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjidhje që opozitën e bën pjesë reale të procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Por me kushtin që këto organe të mos jenë të balancuara politikisht dhe ose emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik. Tashmë besoj se ka ardhur momenti i së vërtetës. Nëse ka vullnet të sinqertë politike fundi i marsit mund të na gjejë në votimin parlamentar të projektit kushtetues”, tha Fatmir Xhafa.
Top Channel