“Garancia” e PS shqyrton letrën për statutin

29/02/2016 19:15

Komisioni i Garancive Statutore në Partinë Socialiste u mblodh këtë të hënë për të shqyrtuar kërkesën e firmosur nga katër deputetë socialist për të interpretuar statutin në rastin e zgjedhjes së kryetarit.

Në përfundim të mbledhjes, kreu i këtij Komisioni, Alket Hyseni deklaroi se është marrë në shqyrtim parimisht kërkesa dhe se për këtë do të dëgjohën edhe firmëtarët e saj.

“Shqyrtuam në parim kërkesën që na ka ardhur. Të premten e ardhshme do të thërrasim në seancë dëgjimore firmëtarët e kësaj kërkese”, tha ai.

Mbledhja e këtij komisioni brenda Partisë Socialiste lindi si nevojë pas kërkesës së firmosur nga katër deputetë dhe disa anëtarë të Asamblesë Kombëtare të partisë me objekt që lidhet me zbatimin dhe interpretimin prej këtij komisioni të shkeljeve të konstatuara në statut. 

“Kërkojmë zbatimin dhe interpretimin e nenit 30 pikat 1/a, 1/b, 1/d, dhe pika 2 të Statutit të PS, mbi kufizimin kohor të mandatit të kryetarit të PS, si dhe mbi legjitimitetin e ushtrimit të funksioneve të tij në parti përtej këtij mandati”, thuhet në kërkesë.

Interpretim kërkohet edhe për çështje të tjera që lidhen me parimin e kolegjialitetit, garantimi i së drejtës kushtetuese, ligjore dhe statutore e çdo anëtari të PS, për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në të gjitha organet drejtuese të partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA