Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave
Partia Demokratike ka denoncuar një ngjarje të ndodhur rreth orës 18:00 në një lokal në Pajovë të Peqinit. Arben Ristani, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie thotë se është rrahur barbarisht kryetari i degës së PD në këtë qytet, Diell Çela, sipas tij, nga deputeti i PDIU, Aqif Rakipi dhe vëllai i tij.
“Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë ngjarje, si një sulm të pastër politik ndaj përfaqësuesit tonë. Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje. Dhuna barbare e ushtruar ndaj kryetarit demokrat të Peqinit nga deputeti i mazhorancës është shprehje e inkriminimit dhe lehtësisë më të cilin banditët e veshur me pushtet, godasin e rrahin qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës”, tha Ristani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD theksoi se Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë procedim të shpejtë dhe hetim serioz e të plotë të ngjarjes.
Gjithashtu, ai tha se Partia Demokratike ka njoftuar dhe ka informuar ambasadat dhe partnerët ndërkombëtarë për këtë rast skandaloz dhune.
“Ne duam të sigurojmë çdo qytetar, se Partia Demokratike dhe njerëzit e saj as nuk frikësohen e as nuk ndalen në betejën për të pastruar politikën dhe shoqërinë nga krimi. Do të jemi në krye të kësaj beteje çdo ditë, dhe do ta fitojmë këtë betejë bashkë me qytetarët”, përfundoi Ristani.
Top Channel