Votimet për presidentin e ri të FIFA-s, nuk ka fitues në raundin e parë

26/02/2016 16:30

Ka përfunduar raundi i parë i votimeve për presidentin e ri të FIFA-s në Zyrih, ku po zhvillohet Asambleja Zgjedhore, por nga ky raund nuk ka dalë kreu i ri i organit më të lartë të futbollit pasi asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të siguronte dy të tretat e votave të 207 anëtarëve.

Ashtu siç pritej, Gianni Infantino ishte ai që grumbulloi më shumë voto, 88 të tilla, por vetëm 3 më shumë se sheiku i Bahrejnit Al Khalifa.

Në vendin e tretë u rendit princi i Jordanisë, Al Hussein me 27 vota, ndërsa Jerome Champagne mori vetëm 7 vota.

Tashmë do të mbahet raundi i dytë i votimeve ku nevojitet një shumicë e thjeshtë për të shpallur presidentin e ri të FIFA-s. Në qoftë se edhe ky raund nuk do të përcaktojë fituesin do të mbahet edhe raundi i tretë ku do të marrin pjesë vetëm dy kandidatët më të votuar në raundin e dytë.

Parashikimet flasin se Presidenti i ardhshëm i këtij organizmi do të jetë dalë nga dyshja Infantino-Al Khalifa, ky i fundit President i Federatës Aziatike të Futbollit, kjo është para edhe nga votat që dy kandidatët morën në raundin e parë. Zvicerani Infantino, përveç federatave europiane ka marrë edhe mbështetjen e Federatës Amerikano-Jugore dhe të Amerikës Qendrore, që përkthehen në 17 vota.

Gjithashtu, ai do të ketë me vete edhe 54 vende afrikane, të cilat bëjnë dhe paketën më të madhe të votave në këtë kongres.

Reputacioni i sheikut nga Bahrejni ka patur rënie këto muajt e fundit, pasi ai shihet si dhunuesi i të drejtave të disa sportistëve në vend të cilët kërkonin më shumë demokraci. Madje ai është akuzuar se ka shpërdoruar fonde të mëdha të FIFA-s për të financuar përpjekjet e tij për të arritur në krye të federatës aziatike të futbollit.

Një hap larg kësaj dysheje vjen jordanezi, Ali Bin Al Hysejn, i cili vitin e kaluar sfidoi Blatterin. Akoma më larg në këtë garë është francezi Champagne, i cili deri para pak kohësh ka qenë krahu i djathtë i Blatterit dhe biznesmeni Sexwale, i cili është larg futbollit dhe njihet si personi që ka ndjekur në një qeli me Nelson Mandelën.

Top Channel