Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka mbetur besnike e UEFA-s, për mbështetjen e kandidaturës europiane për presidencën e FIFA-s, Xhani Infantino. Në një intervistë telefonike për Top Channel presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zbulon votën e tij dhe arsyet.
“Pas ngjarjeve që ndodhën, Platini nuk mund të kandidonte për president, të gjithë anëtarët e UEFA-s u mblodhën për të pasur një kandidat. Nuk është se kishte ndonjë kandidat tjetër nga Europa, në këtë mënyrë të gjithë vendosën të mbështesnin Infantinon, jo vetëm si një menaxher i zoti, por edhe si një përfaqësues europian”, deklaroi Duka.
Një nga risitë e Infantinos në programin e tij është shtimi i skuadrave pjesëmarrëse në finalet e Botërorit deri në 40 skuadra, një ndryshim që ashtu si në Europian na jep edhe ne më tepër shanse për kualifikim.
“Rritja e numrit, sipas premtimit të tij, për pjesëmarrjen në Botëror na jep një shans më tepër. Kuptohet që kualifikimi në Botëror mbetet një objektiv i vështirë, por është një shans më shumë nëse do të ketë shtim të numrit të skuadrave”, tha Duka për Top Channel.
Megjithatë premtimet sportive sipas Dukës janë vetëm një anë e medaljes, pasi ato financiare mbeten më të prekshme për Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Menaxhimi më i mirë patjetër që i jep një përfitim edhe Shqipërisë. Një nga premtimet e tij është që FIFA do të japë më shumë para’ për investime në futboll dhe Shqipëria mund të përfitojë nga kjo”, tha Duka.
Top Channel