
Ministri i Brendshëm në Maqedoni, Oliver Spasovski vlerëson se, zgjidhje për krizën e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk mund të ketë, pa marrë fund problemet në vendet prej nga vijnë ata.
Spasovski pret që të shtohet fluksi i refugjatëve në muajt e ardhshëm dhe bëri me dije se, Maqedonia mund të pranojë aq refugjatë, sa ç’mund të pranojnë edhe vendet e tjera të “korridorit ballkanik”.
“Me përmirësimin e kushteve klimatike do të shtohet edhe numri i emigrantëve. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë ne. Kemi nevojë për koordinim të përbashkët me të gjitha vendet, por edhe për një vendim të qartë nga Bashkimi Europian, sesi duhet vepruar me këtë situatë”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoni.
Shefi i policisë maqedonase vizitoi këtë të premte qendrën tranzitore për refugjatët në kufirin jugor me Greqinë, bashkë me kolegun e tij çek, Mihail Hovanec. Ky i fundit tha se, vendi i tij është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon.
Nga ana tjetër, Spasovski premtoi trajtim human për të gjithë refugjatët që kalojnë tranzit nëpër Maqedoni si dhe paralajmëroi se, forcat e rendit, me ndihmën e kolegëve nga vendet e Europës, mund të ballafaqohen me emigrantët ilegalë për të garantuar sigurinë e vendit.
Top Channel