
Vezët e lëshuara në Parlament në drejtim të kryeministrit Edi Rama kanë sjellë ndëshkime për deputeët demokratë të përfshirë në këtë aksion të ri, në formë dhe përmbajtje inicuar nga opozita.
Bryroja Parlamentare, e thirur nga disa deputetë të PS dhe kolegët e tyre të PD, të cilët kërkonin ndëshkime të ndërsjellta pas incidenteve të shënuara në sallën e Parlamentit vendosi përjashtimin duke filluar nga e Premtja me shtatë ditë për deputetët Genti Strazimiri dhe Bedri Hoxha, si dhe masë disiplinore dy ditë për Albina Dedën.
“Ne kërkuam masë ndaj kryeministrit dhe ndaj kryetarit të Komisionit të Ekonomisë që me fjalorin e përdorur prej tyre u bë rrjedhojë për veprimet e disa deputetëve të opozitës. Për fat të keq, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, Byroja e Kuvendit dënoi viktimat dhe jo shkaktarët dhe agresorët. Në vend që të dënonte kryeministrin dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë për fjalorin që përdorën, dënoi deputetët që reaguan në përgjigje të këtij fjalori thellësisht fyes për deputetet femra por edhe për deputetë të tjerë. Dy deputetët e opozitës u dënuan me 7 ditë përjashtim nga Kuvendi dhe deputetja Albina Deda me 2 ditë përjashtim. Kurse kryeministrit dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë iu rrahët krahët dhe u përgëzuan për fjalorin e përdorur në Kuvend”, deklaroi nënkryetari i PD, Edmond Spaho.
“Të ndodhur në kushte të papreçedenta, Byroja veproi sipas rregullores. Ka dënuar me dy ditë përjashtim deputeten Deda. Ajo tha se nuk i kishte dëgjuar fyerjet e kryeministrit, por ia kishin treguar se çfarë kishte thënë”, tha nga ana tjetër nënkryetari i grupit të PS, Taulant Balla.
Para dhe gjatë mbledhjes së Byrosë Parlamentare nuk munguan përplasjet në distancë mes deputes Albina Deda, kreut të opozitës Lulzim Basha me shënjestrën e goditur me vezë, shefin e qeverisë Edi Rama. Fjalët që dominuan në replika ishin dy: mitër dhe motër.
“Rama e ka treguar se është i papërgjegjshëm. Unë e kam goditur Ramën në shenjë të indinjatës së mirditorëve, çdo zyrë në Mirditë është e mbushur me kriminelë, nxori edhe ish-administratorin e Kaçinarit për gërhitje nga Gjykata e Lezhës. Pra, jemi para një situate paradoksale ku krimi dhe kriminelët afrohen nga kryeministri, mbahen në Parlament dhe fyhen deputetët që kanë dinjitet, që kanë vlera dhe që respektohen në zonat që ata përfaqësojnë”, tha deputetja Deda në fund të mbledhjes.
Ndërkohë, kryetarët e dy partive bënë një ditë më parë këto komente në dy emisione televizive. “Deputetja kishte një shuk me letër në dorë, të lagur. Dhe ky, që ankohej për dhunë verbale, i tha publikisht ‘merre dhe fute në mitër e mos e mbaj në dorë’. I tha edhe dicka tjetër, ‘ku e ke lagur’. Këta janë të ndyrë”, tha Lulzim Basha.
“Këta janë mjeshtra. Unë i thash asaj ‘motër’, këta thonë ‘monstër’. Unë u them që shqiptarët nuk janë dele që të shkojnë pas jush, ata u thonë shqiptarëve dele”, tha Edi Rama.
Top Channel