
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka ironizuar sondazhet e prezantuara nga kryeministri Rama, duke theksuar se ato ndryshojnë kur zhvillohen “në salla të mbyllura dhe jashtë sallave”.
“Sondazhet në salla të mbyllura me punonjës të administratës i paskan dalë mirë Ramës. Vetëm se jashtë këtyre sallave, në Shqipërinë e vërtetë, në realitetin e përditshëm të njerëzve puna është pak ndryshe. Nuk ka sot një shqiptar të vetëm, jashtë sallës me regji, që nuk është mashtruar nga Edi Rama, që nuk e ka pësuar pas shpine prej tij”, ka thënë Basha.
Ai është shprehur se, të mashtruarit janë njerëzit e thjeshtë që kanë rënë pre e vjedhjeve të kryeministrit, i cili i mbulon ato me aksionet e tij.
“I mashtruar dhe i goditur është ai që paguan energjinë elektrike 20 për qind më shtrenjtë, ai që nuk gjen një shërbim në spital, ai që duhet të japë mijëra euro nën dorë për legalizimin. I mashtruar është ai që nuk merr më asnjë lek për bujqësinë, ai që lë në dyqan më shumë se më parë për të njëjtin mall, ai që mbush makinën me naftën më të shtrenjë në rajon, ai që kërkonte rend por sheh se bandat bëjnë ligjin, ai që priste rritje të ndihmës ekonomike dhe e pa emrin jashtë liste, ai që shpresonte për mirë po iku natën për një jetë tjetër në Europë, ai që kërkonte investime por investimet janë zero se paratë vidhen në dogan a e tatime, çka mbetet e ndan Edi Rama me miqtë e tij, i mashtruar çdo biznes i vogël e profesion i lirë me taksa të dhjetëfishuara”, ka thënë Basha.
Sipas tij, Shqipëria është sot vendi më i varfër në Europë që sundohet nga qeveria më e pasur, e drejtuar nga “një kryeministër që erdhi në pushtet me banda e kriminelë dhe që mbështetet edhe sot tek ata”.
“Po nëse sondazhet i dalin mirë, pse i duhet Armando Prenga me pistoletë pa leje, që pasi la të plagosur burrat e një fisi brenda në komisariat vjen me vrap të votojë hajdutin Ahmetaj dhe Milvën e Vilmës? Pse i duhen trafikantët, pse i duhet Bushi, Roshi, Ndoka?
Nëse sondazhet i dalin mirë, pse nuk e lë të gërhasë administatorin e gjysmë toni drogë, por e do të lirë në aksion? Po cubi pse i duhet? Pse i duhet Kokëdhima, pse i duhen Habilajt, pse i duhet Hakmarrja për Drejtësi?
Nëse sondazhet i dalin mirë, pse Shullazi kalon në doganë pa u regjistruar dhe ka në dispozicion forcat speciale të policisë? Nëse sondazhet i dalin mirë, pse nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme?”, është shprehur Basha.
Ai e ka akuzuar kryeministrin se, “fut dorën në çdo kuti dhe kërcënon votuesit”, duke kryer një seri dhunimesh “që s’janë parë prej vitesh, siç e tregoi raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it”.
“E kundërta është e vërtetë. Çdo sondazh e nxjerr atë në rënie, në pikiatë pa kthim. Dhe shqiptarët mezi po presin ditën e ballafaqimit për t’ia treguar këtë të vërtetë me votë”, ka shtuar Basha.
Top Channel