Vlorë, kapen armë e municione; në pranga dy të rinj

25/02/2016 11:45

Policia e Vlorës ka finalizuar në orët e fundit operacionin e koduar “Parandalimi”, përmes të cilit ka sekuestruar një arsenal armësh dhe ka vënë në pranga dy poseduesit.

Sipas një njoftimi për shtyp të drejtorisë lokale të policisë, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative uniformat blu kanë kontrolluar automjetin e shtetasve Artan Dedja dhe Saimir Preça, përkatësisht 37 dhe 22 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Kështu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një automatik i modelit 56 dhe një krehër; një pistoletë e tipit “Ekol”, bashkë me një krehër me 15 fishekë 9 mm; një granatë dore; një ndezës granate; si dhe 4 telefonë celularë.

Operacioni i policisë së qytetit bregdetar është kryer në vendin e njohur si Pusi i Mezinit. Agjentët e policisë, përveç se kanë vënë në pranga dy poseduesit e armëve, kanë bllokuar edhe automjetin tip “Benz” me targë “AA 575 JY” dhe po hetojnë për të zbardhur qëllimet e tyre.

Top Channel