Fadil Lepaja – Fausti, edhe pse e urren Mefistofelin, pranon të bëjë pakt me të për hir të …! Të më falni, se kjo nuk është hyrja e duhur, për një shkrim analitik, i cili duhet të rrëfej, se çfarë po ndodh në Kosovë.
Pastaj marrëveshja e koalicionit qeverisës ishte bërë, sipas dyshimeve me ndërmjetësim ndërkombëtar, pra ishte nisur me motive krejtësisht të paqarta (ndër)kombëtare për ne. Nejse, ajo që është e sigurt, është se nëpër bastore kësaj radhe askush nuk mund të fitojë shuma të mëdha.
Dikujt, titulli i këtij shkrimi, mundet t’i duket sugjestionues dhe restriktiv, sepse në mes shumë mundësive po përcaktohet vetëm për dy, megjithatë nuk është. Realiteti e ka ngushtuar vetë hapësirën për manovrim. Nuk është fjala për persona (litete). Më tepër duke menduar për institucionin sesa për personin. A i duhet Kosovës më tepër një kumbarë apo një president?
Një analist, përkundër bindjes së përhapur, nuk duhet të japë përgjigje në çdo pyetje që mund të bëjnë qytetarët, por mendoj se misioni i tij është të bëjë pyetje rreth të cilave do të duhej të mendojnë qytetarët. Me një fjalë, duhet të ndihmojë qytetarët të reflektojnë dhe të marrin vendim. Natyrisht, aty ku pyeten qytetarët. Aty ku nuk pyeten, mjafton të mendojnë!
Pra, a i duhet Kosovës një kumbarë, i cili do të kontrollonte fuqishëm megaburokracinë kosovare të shtetit, për të cilën opozita thotë se është e “kapur”, dhe se zbaton vetëm vullnetin e kupolës apo i duhet një president, i cili në bazë të ligjit do të arrijë ta sjellë këtë strukturë nën vullnetin politik të qytetarëve? Opozita, po thotë …!
Në fakt, opozita nuk po thotë asgjë. Opozitën e larguan nga Parlamenti. Një pjesë të saj e arrestuan, një pjesë e larguan, një pjesë e paralizuan me goditje të ulëta “nën brez”, sidomos femrat duke i akuzuar se po shfrytëzojnë “përparësitë” e gjinisë për të futur lotsjellësin në sallën e Parlamentit. Ato nuk janë për ta as zonja, as nëna, as motra … ato vetëm transportojnë lotsjellës. Opozita, nëse pranon të kthehet sërish në Parlament, edhe lotsjellësin do e marrin me vete, në dorë, që agjitpropi i koalicionit, mos të mundë të bëjë pyetjen fatale: ku po e fshehin lotsjellësin deputetet e opozitës. Për burra, disi ka më pak spekulime, por … edhe për burra ka!
Falë arrestimeve, dënimeve dhe përjashtime të deputetëve, tash edhe Parlamenti u rehatua. S’ka më opozitë. Mbledhjet mund të mbahen edhe në sallën solemne. Ka rënë në një monotoni që vështirë se mund të përballohet nga publiku, i shtëpisë së vetme televizive, publike, ndër ne. Ndoshta edhe hiqet fare transmetimin “live” i seancave të Parlamentit. Nuk e ngre më adrenalinën.
Duke u nisur nga përvoja e deritashme dhe fakti se institucionet tona ende nuk janë bërë të përkryera, ndoshta edhe me përkrahje ndërkombëtare, propozoj që për hatër të qetësisë në shtëpi, të hiqet krejtësisht opozita si kategori kushtetuese. Çka i duhet Parlamentit një opozitë, e cila veç probleme sjell. Edhe debatet propozoj të hiqen, si të panevojshme.
Ligjet le t’i dërgoj vetë Hashimi në P:arlament, pavarësisht se çka zgjidhet, kumbarë apo presidenti. Parlamenti pastaj, qysh edhe e do rendi, vetëm i dëgjon ato, në leximin e parë dhe të dytë, pastaj i aprovon me ulje koke (në leximin e parë) dhe duartroket (në leximin e dytë), sepse nuk ka nevojë as të votohen.
As amendamente nuk do të duhej të ketë, sepse kështu mund të ofendohet propozuesi. Presidenti është i pagabueshëm.
Si edhe e dini, në skenë është veç një kandidat për president. Isa bëri pakt me të dhe e fitoi “rininë” politike. Ramushi nuk bëri pakt me Isën dhe … siç e dini dha dorëheqjen.
Përndryshe, satanizimi i opozitës nuk ishte veç për nevoja ditore. U krye përfundimisht dhe vështirë është me ia heqë dikush njollën e antiamerikanizmit. Me i pas sha dikush si antishqiptarë, ky mbase edhe ish marrë si kompliment. Me i pas sha si antikombëtarë, edhe kjo hahej diqysh, se fundja, kombet që nuk kanë fuqi me përballuar globalizimin, edhe po shuhen … disa. Por, antiamerikan, kjo është politikisht e papërballueshme. Është kulmi dhe i përmbledh në vete të gjitha. Kjo është (vetë)vrasje politike.
Këtu hyn në skenë, krejtësisht i keqpërdorur, Shkëlqesia e Tij, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, në përpjekje për të qetësuar situatën. Por ai thjesht mbeti në zallin e gjallë të (para)politikës kosovare.
Ajo që pasoi, mbase do të mësohet edhe në libra të diplomacisë.
Nuk mbet horr, mafioz, as demagog, pa u fshehur pas Shkëlqesisë së Tij, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, dhe pa e sharë opozitën për një peticion që gjoja e (pas)ka nisur kundër tij. Të shqetësuar prej protestës paqësore të opozitës, të cilën e përkrahu edhe ambasadori, si të drejtë të pakontestueshme demokratike, ata duke u fshehur pas ambasadorit, e zbuluan armikun, antiamerikan. Një “terrorist”! Ai edhe mund të ketë qenë “terrorist! Ai edhe mund të mos ketë qenë fare i opozitës! Ai mund edhe të mos ketë qenë fare shqiptar. Ai edhe nuk ishte shqiptar. Ai vetëm ai e di përse pikërisht tash, hyri në skenë, me atë peticion?!
Tash, kemi një qetësi, para furtunës. Për disa ditë është paralajmëruar seanca kur do të zgjidhet: kumbara apo presidenti, çfarëdo qoftë. Kandidati është veç një. I vetëm përballë të gjithëve dhe të gjithave: përballë opozitës, përballë demokracisë! I vetëm përballë … vetvetes. Ai është shteti. Hashimi I!
Nuk ka fare dilema se a do të arrijë të marrë numrin e mjaftueshëm të votave. Nuk dihet vetëm një gjë. A do të ketë kuorum të fillojë seanca. A do të thirret seanca? Shpërfaqja e demokracisë kosovare ka arritur deri aty, që mund të mbrohet vetëm me mospjesëmarrje. Nuk po flasim për opozitën, tashmë. Bëhet fjalë për koalicionin. Një numër deputetësh nuk po e pranojnë paktin … apo mbase e pranojnë deri të enjten. Po bëhen pazare dhe presione.
Qysh po njoftojnë mediat, në mbledhjen e grupit parlamentar, Isa e ka lypë besën e deputetëve të vet. Me ia dhanë besën … Presidentit!
Pastaj do të qeverisin përjetë …!
Gazeta “Shqip”
Top Channel