Washington Wizards mposhti New Orleans në ndeshjen e tij të radhës në NBA, duke shënuar suksesin e tretë në katër ndeshjet e zhvilluara pas pushimit për “All Star Game”. Në “Verizon Center”, skuadra e Wizards pati si udhëheqës të saj drejt këtij suksesi John Wall, i cili e mbylli sfidën me 16 pikë, 12 topa në tabelë dhe 11 asist, duke fituar përballjen personale me Anthony Davis.
Washington e bëri diferencën në këtë ndeshje në periodën e parë dhe të tretë për të regjistruar suksesin e 26. Gjithsesi, kjo fitore e lë Washingtonin ende jashtë zonës së “playoff”-it në Konferencën e Lindjes.
Fitore shënoi edhe Portland Trail Blazers që mposhti Brooklyn Nets 112-104. Në “Moda Center”, skuadra e Traiil Blazers e kishte në kontroll sfidën me Nets, ku ata që spikatën ishin Lillard dhe McCollum që shënuan secili nga 34 pikë. Për Brooklyn nuk mjaftuan 36 pikët e Lopez për të evituar këtë humbje që është e 42 sezonale, duke qëndruar në vendin e parafundit në Lindje. Për Portland kjo është fitorja e 30 për sezonin e rregullt, me skuadrën e Trail Blazers që pozicionohet e shtata në Konferencën e Perëndimit.
Në ndeshjet e tjera të NBA, Orlando Magic mundi Philadelfia 76ers 124-115, Sacramento Kings triumfoi ndaj Denver Nuggets 114-110, ndërsa Houston Rockets u mposht nga Utah Jazz 114-117.
Top Channel