Botërori i Formulës 1 i këtij viti mund të ketë ndryshime të ndjeshme të cilat do të ndodhin në formatin e provave kualifikuese. Në Gjenevë u zhvillua një takim mes Grupit Startegjik të Formulës 1 dhe Komisionit të këtij kampionati, ku u arrit edhe marrëveshja për të bërë këto ndryshime, të cilat do të diskutohen muajin e ardhshëm në mbledhjen e Këshillit Botëror të FIA-s.
Formati i ri parashikon zhvillimin e provave zyrtare në 3 minisesione, ashtu siç ka ndodhur deri tani. Por ndryshimet janë në mënyrën e skualifikimit të pilotëve. Kështu, minisesioni i parë do të zgjasë 16 minuta dhe të përfshirë do të jenë të 22 pilotët. Pas 7 minutave do të eliminohet piloti më i ngadaltë. Eliminimi i dytë do të vijë pas 1 minute e 30 sekondassh dhe kjo do të ndodhë deri në përfundimin e këtij sesioni, nga ku do të mësohen edhe emrat e 7 të skualifikuarve të parë, të cilët do të pozicionohen në vendet 16-22 në garë.
Në minisesionin e dytë, që do të zgjasë 15 minuta, do të jenë 15 pilotë në garë. Eliminimi i parë i pilotit më të ngadaltë do të bëhet pas 9 minutash. Më pas, kjo procedurë do të përsëritet pas çdo 1 minute e 30 sekondave deri në mbylljen e këtij minisesioni, ku do të mësohen emrat e 7 pilotëve të tjerë të skualifikuar, me këta të fundit që do të përcaktojnë edhe pozicionet 9-15.
Në minisesionin e fundit, gara për “pole position” do të zhvillohet mes 8 pilotëve. Në këtë rast eliminimi i parë do të bëhet pas 5 minutash, më pas procedura do të jetë si në dy minisesionet e tjera, çdo 1 minutë e 30 sekonda nga një eliminim. Në 90 sekondat e fundit të provave do të jenë vetëm 2 pilotë që do të garojnë për vendin e parë në vijën e nisjes së garës.
Top Channel