Durrës, sekuestrohen 550 mijë paketa cigaresh kontrabandë. U prodhuan në Mal të Zi

24/02/2016 09:50

Në Durrës u bllokua një ndër sasitë më të mëdha në vitet e fundit të cigareve kontrabandë. Rreth 550 mijë paketa cigaresh të markës “Merhaba”, një imitim turk i markës “Marlboro” u kap në Portin e Durrësit, pas një operacioni të Agjencisë së Hetimit Doganor dhe Policisë së Shtetit.

Informacioni për kontrabandën e cigareve ka ardhur nga shërbimet doganore të huaja. Kamioni kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në rrugë tokësore deri në portin e Durrësit. E gjithë sasia ishte ngarkuar në kamion në Mal të Zi, pa dokumentacion të rregullt dhe pa përcaktuar destinacionin se ku do të ndalonte.

Pas marrjes së informacionit, hetimi doganor ushtroi kontroll në Doganën e Durrësit, mbi kamionin që drejtohej nga shtetasi Ilir Dengu, 53 vjeç nga Tirana, nga ku rezultoi se, malli nuk kishte asnjë dokumentacion dhe po kalonte kontrabandë.

Operacioni i koduar me emrin “Eklips” çoi në pranga edhe dy shtetas të huaj: Irfan Ameti, 46 vjeç nga Maqedonia, dhe Gjuljen Sami, 52 vjeç nga Turqia.

Të dy të huajt ishin shoqërues të mallit dhe udhëtonin drejt Turqisë. I prodhuar në Mal të Zi, sasia e duhanit, që ishte e falsifikuar, mendohet se kishte destinacion shitjeje Sllovakinë, kjo edhe në bazë të dëshmive të dhëna nga të arrestuarit. Për këtë arsye, ndaj 3 të akuzuarve është ngritur jo vetëm akuza e kontrabandës, por edhe ajo e riprodhimit pa të drejtë e veprës së tjetrit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel