“Unë do të jap dorëheqjen nëse në datën 1 qershor, kur të inaugurohet parku i fëmijëve, aty do të ketë kafene, restorant apo çfarëdolloj ndërtese. Nëse aty pritet qoftë edhe një pemë, nuk do të jem më kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ama, nuk pranoj gjuhën e dhunës”.
Kështu i është përgjigjur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzave dhe protestave të shoqërisë civile dhe Partisë Demokratike lidhur me ndërtimin e këndit të lojrave tek Liqeni Artificial.
Gjithashtu, Veliaj i është përgjigjur dhe protestuesve lidhur me akuzat për rritjen e taksave: “Fakti që hapësira është publike, nuk do të thotë se është pa pronar. Pronarë janë të gjithë qytetarët e Tiranës. Ajo lloj tarife, 50 lekë për tavolinë, është vetëm për zonën A, zona e Bllokut”.
Këto deklarata kryebashkiaku i bëri gjatë prezantimit të vizionit të planit të ri urbanistik të Tiranës. I pranishëm në këtë aktivitet, arkitekti italian Stefano Boeri, paraqiti idenë e asaj që do të jetë Tirana 2030, projekt i cili do të jetë i ndarë në 3 kapituj: maketi, letra e rregullave dhe një atlas me projektet që do të zhvillohen në kryeqytet.
Top Channel