Tre emra për stolin e Chelsea, Abramovich vendos në mars

23/02/2016 12:50

Chelsea ende nuk e ka mundur të bëjë zgjedhjen e tij përsa i përket trajnerit për sezonin e ardhshëm. Në orët e fundit janë shtuar zërat për transferimin e mundshëm në Londër të Antonio Conte.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “La Gazzetta Dello Sport” është arritur një marrëveshje paraprake me teknikun e përfaqësueses italiane edhe pse në fund ai që do të vendosë është padroni i Bluve të Londrës, Roman Abramovich.

Sipas kësaj të përditshmeje, Conte e ndjen se është gati për një aventurë në Premier League dhe gjithnjë e ka vlerësuar skuadrën e Chelseat për strukturën dhe për sektorin e të rinjve që është ndër më të mirët në kontinent. Gjithsesi për momentin Conte është i përqendruar te Kombëtarja italiane, pasi në qershor nis europiani i Francës dhe në javët e ardhshme skuadra e “Të Kaltërve” do të zhvillojë ndeshje përgatitore me ekipe të tilla si Spanja dhe Gjermania.

Megjithatë konkurrentët nuk i mungojnë Antonio Contes në garën për pankinën e Chelseat. Një prej emrave më të lakuar është ai i Diego Pablo Simeones, me këtë të fundit që nuk është shfaqur shumë i qartë në qëndrimet e tij për këtë interesim të Bluve të Londrës, kjo edhe për shkak se ai është shumë i lidhur me Atletiko Madrid, tifozët e të cilit e adhurojnë dhe e ndjekin pa kushte.

Për Simeonen, Abramovic është gati të bëjë çmenduri, por argjentinasi është nga ata persona që vendimet nuk i merr në bazë të ofertave financiare. Konkurrenti tjetër i Contes është Massimiliano Allegri. Për italianin Marota deklaron se do ta konfirmojë në pankinën e Juves, ndërkohë që edhe vetë trajneri livornez i mohon zërat per kalimin te “Blutë”.

Megjithatë ky opsion duhet mbajtur gjithnjë i hapur, pasi Allegri ka deklaruar gjithashtu se do t’i pëlqente një aventurë në premier League dhe një rast si Chelsea nuk është se shfaqet përditë në horizont.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA