Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës dorëzoi këtë të martë një propozim për uljen e taksave bashkiake.
Në një prononcim për mediat, kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli tha se, kjo është një kërkesë e përsëritur e grupit demokrat.
“Paraqitëm sot kërkesën për të minimizuar taksat në kufirin që e lejon ligjin, pra 30% më pak nga se ishin parashikuar dhe për më tepër, uljen e një numri tarifash dhe heqjen e taksës për arsimin, sepse në gjykimin tonë, si atëherë dhe sot vijon të jetë një taksë antikushtetuese”, deklaroi Olli.
“Sot, duke patur parasysh dhe ndjeshmërinë që ka shkaktuar tek biznesi, buxheti dhe paketa e re fiskale, të cilat tashmë detyrojnë thuajse 25 mijë biznese të Tiranës të mbyllen, ne ripërsëritëm kërkesën tonë që nuk u mor në shqyrtim herën e parë dhe shpresojmë shumë që të merret në shqyrtim sot, ose në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak”, tha ai.
Më tej Olli u ndal dhe në rëndësinë e heqjes së tarifave të reja që ka vendosur kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.
“Nga ana tjetër, duke patur parasysh tarifat e çmendura, të cilat janë autoritet i Bashkisë së Tiranës, që i kanë gjunjëzuar komplet bizneset, ne kemi kërkuar rikthimin e tyre në nivelet e mëparshme dhe heqjen e tarifës së liçencimit, e cila sërish është një tarifë abuzive. Janë të gjitha kërkesa që besoj se duhet të gjejnë mbështetjen e të gjithë këshilltarëve në Këshillin Bashkiak, pavarësisht ngjyrimit politik”, tha Olli.
Top Channel