
Golden State vendos një tjetër rekord në NBA. Skuadra e Warriors mposhti Atlantën 102-92 duke shënuar fitoren e 50 sezonale në 55 ndeshje, për t’u bërë e para skuadra që e arriti më shpejt këtë kuotë suksesesh në historinë e këtij kampionati.
Si gjithnjë, rolin e protagonistit kryesor për kampionët në fuqi të NBA e kishte Stephen Curry me 36 pikë të shënuara, ndërkohë që la gjurmën e tij edhe Kley Thompson me 27 pikë.
Merita e Atlantës në këtë ndeshje është se nuk e lejoi Golden State të mbyllte shpejt llogaritë e kësaj sfide duke e detyruar atë të sforcohej pak më shumë në periodën e katërt për të zgjidhur gjithcka.
Befason në këtë ditë të NBA disfata e pësuar nga Cleveland në parketin e tij. Skuadra e Cavaliers u mposht në Quicken Loans Arena nga Detroit Pistons 88-96. Skuadra mike arriti të krijojë një avantazh deri në 16 pikë në periodën e tretë, por Cleveland arriti ta shkurtojë atë në 6 pikë falë edhe Irving që e mbylli këtë përballje me 30 pikë. Por skuadra nga Ohio nuk mundi të bëjë më shumë se kaq, pasi Detroit e mbylli sfidën në favorin e tij nëpërmjet pikëve të Jackson dhe Caldwell-Pope.
Top Channel