Favorizonin ndërtimet pa leje, në pranga 2 policë dhe 8 punonjës të INUV

23/02/2016 00:00

Të paktën 10 të arrestuar, 2 policë dhe 8 punonjës së INUV-it në Kamëz. Ky është bilanci i operacionit që blutë e kryeqytetit nisën pak para mesnatës së të martës.

Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhëra ndalimi për disa punonjës policie të Komisariatit nr.5 Tiranë dhe inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Bashkisë Kamëz, të dyshuar për konsumimin e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”, pasi kanë lejuar ndërtimin e objekteve të paligjshme, nuk kanë raportuar për vijimin e punimeve në mjedise private, në kundërshtim me detyrën e tyre dhe në këmbim të parave.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se në total janë lejuar mbi 80 ndërtime apo shtesa ndërtimi në mënyrë të kundërligjshme. Në bazë të hetimit, nisur pas referimit të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzionin se inspektorët e INUV-it për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Bërxullës dhe Zall Herrit, konstatonin ndërtime të paligjshme në ambiente familjare e biznesi dhe nuk i raportonin.

Sipas prokurorisë, ata i kanë lejuar me bindje, me qëllimin për të marrë përfitime materiale prej shtetasve që kryenin ndërtimet. Të ndaluarit janë policët Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj si dhe punonjësit e INUV-it Afrim Deda, Murat Mena, Arjan Hoxhaj, Petrit Jani, Gazmir Marku dhe Muhamed Korra.

Top Channel