Wenger: Jam penduar që nuk bleva Suarezin

22/02/2016 14:05

Luis Suarez është njeriu i momentit në futbollin evropian. Sulmuesi uruguajan i Barcelonës ka shënuar 25 gola në 24 ndeshje në kampionatin spanjoll, duke e vendosur veten në garë për Këpucën e Artë të këtij viti.

Futbollisti 29-vjeçar u transferua në verën e vitit 2014 te Barcelona, por ai mund të kishte kaluar edhe te Arsenali. Në fakt, në vitin 2013, “Topçinjtë” i ofruan Liverpulit 40 milionë e paundë për kartonin e Suarezit, ofertë kjo që u refuzua nga “The Reds”.

Ditën e martë Barcelona do të luajë në Londër ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve me Arsenalin dhe padyshim në fushë do të jetë edhe uruguajani. Trajneri i “Topçinjve”, Arsene Wenger, në prag të kësaj sfide e pranoi se u pendua që nuk e solli Suarezin në Londër, por ky moment tashmë ka kaluar.

“Jo pak herë e kam pyetur veten se si do të ishin gjërat nëse do të kisha mundësuar sjelljen e Suarezit në “Emirates Stadium”. Ai është një mik i vërtetë me shokët e tij të skuadrës. E tregoi këtë kur ishte te Liverpuli si dhe në kombëtaren e Uruguajit, me Cavanin dhe Forlanin. Suarezi është një lojtar që arrin të krijojë shpirtin e grupit në skuadër”, tha Wenger.

I pyetur sesi Arsenali do të mund të ndalë Barcelonën, Wenger tha se kjo duhet bërë në mënyrë kolektive: “Lojtarët e Barcelonës janë shumë të vështirë për t’u markuar në mënyrë individuale. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i ndalur ata të gjithë si skuadër. Duhet të analizojmë çfarë duhet të bëjmë së bashku dhe sa më mirë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA