Top Story, Ngjela: Presidenti u hakmor ndaj Kryeministrit

22/02/2016 00:00

Presidenti i tha fund krizës ku mund të futej Shqipëria, por edhe ai vetë, duke dekretuar ministrat Ahmetaj dhe Ekonomi në limitet e afatit 7-ditor që i njeh Kushtetut. Megjithatë, Presidenti lëshoi dekretet, por nuk u tërhoq nga kërkesa për interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse duhen dekretuar shkarkimet dhe pastaj emërimet.

E gjitha ajo çfarë ndodhi në këto ditë rezultoi të ishte një stuhi në një gotë me ujë. Por çfarë parashikon Kushtetuta për këtë pjesë? A ka ardhur koha që Kushtetuta të rishikohet?

Për këto dhe të tjera pyetje, në Top Story-n e kësaj të hëne ishin të ftuar njohësit e Kushtetutës Spartak Ngjela, Theodhori Sollaku, Çlirim Gjata dhe analisti Arjan Vasjari.

I pari që mori fjalën ishte konstitucionalisti, Çlirim Gjata.

“Nuk më pëlqeu deklarata që u bë që Presidenti rrezikon shkarkimin. Përderisa Presidenti ishte brenda 7-ditëshit. Deklarata do të kishte vlerë nëse Presidenti do të kishte tejkaluar afatin 7-ditor. Nga ikëpamja kushtetuese është mirë që palët të mos nguten pa u konsumuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet kushtetuese. Ajo që mbetet për të diskutuar tani është kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese për dy çështje; a mundet Presidenti të refuzojë një nga propozimet e kryeministrit dhe e dyta, dekretimet  për emërim a duhet të presin votimin e dekretimeve për shkarkim?”, tha ai.

Sipas Gjatës, ka një absurditet në Kushtetutë, ai që kërkon që të votohen në Kuvend edhe dekretimet e shkarkimeve të ministrave.

Spartak Ngjela u tregua më i drejtpërdrejtë kur e cilësoi vendimin e Presidentit si një hakmarrje për ato që i quajti përbuzje që i bëri Kryeministri për pritjen e John Kerry.

“Presidenti gjeti një pikë delikate ta shfrytëzonte sepse Kryeministri e përbuzi për daljen tek shkallët e avionit. Ai fyu shtetin atje kur doli tek shkallët e avionit dhe ishte një hakmarrje proceduriale. Ka disa anomali të inertësisë së totalitarizmit, të mbetura që nga Presidiumit i Kuvendit Popullor dhe këta kështu e kanë vazhduar. Diskutuam kur u hartua Kushtetuta që këto janë kompetenca formale, nuk janë thelbësore. Kompetencë thelbësore e Presidentit është atëherë kur ai shpreh vullnetin e tij. Filtrat që thotë Sali Berisha nuk vlejnë sepse nuk mund të rrëzojë presidenti kryeministrin”, tha Ngjela.

Për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku nuk bëhet fjalë për një krizë institucionale.

“Presidenti ka reflektuar në qëndrimet e veta lidhur me shtyrjen e emërimit të ministrave të rinj nisur nga opinioni i shfaqur nga mediat e analistëve. Nuk ëshë prodhuar ndonjë krizë institucionale, vetëm një debat politik, mediatik dhe kushtetues që bëri mirë në mendimin tim. Unë mendoj që gjithë situtata, si formulimi kushtetues edhe precedenti nuk të lë shteg të veprosh ndryshe. Presidenti është i detyruar që brenda 7 ditëve t’i përgjigjet kryeministrit me dekretim si për emërim dhe shkarkim. Vetëm Kuvendi ka një disgrecion minimal për të bërë një verifikim ndaj kandidaturave të Kryeministrit, por Presidenti nuk ka fare”, tha Sollaku.

Krejtësisht politik e quajti edhe Arjan Vasjari debatin e ditëve të fundit.

“E gjithë kjo fabul është thellësisht politike. Në profilin tonë republikan, Presidenti është krijuar për të zgjidhur kriza, jo për të krijuar kriza. Është bërë gati-gati zakon kushtetues që dekretet e shkarkimit dhe emërimit kalojnë së bashku. Megjithatë, pika 1 e nenit 98 ka nevojë për interpretim”, tha analisti Vasjari.

Vendimin e Presidentit për të dërguar për interpetim në Kushtetuese tre dispozitat e Kushtetutës, ish-kryeprokurori Sollaku e cilësoi joserioz dhe kërkoi që të ngrihet një ligj mbi funksionin dhe detyrat e Presidentit, që sipas tij, do të rregullonte këtë pjesë pa qenë nevoja për t’ju drejtuar Kushtetueses.

Për Spartak Ngjelën, vonesa nga ana e Presidentit për të nxjerrë dekretet dhe adresimi në Kushtetuese për interpetim janë krejtësisht vendime politike.

“Presidenti nuk është i pavarur, nuk është profesionist dhe është i emëruar dhe ai që e emëron njëherë e nxjerr tek shkallët e avionit dhe pastaj bën këtë”, deklaroi avokati.

Konstitucionalisti, Çlirim Gjata fakti është që kur një president nuk shkon me maxhorancën prodhon të tilla gjëra. Zgjidhja, sipas tij, është që Presidenti të zgjidhet nga populli. Gjata  tha se duhet një kushtetutë e re dhe një ndryshim i gjithë sistemit me një Parlament me dy dhoma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA