Përparim Spahiu – Rruga e Arbrit, siç u shpreh pak ditë më parë ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i thirrur në apel nga një deputet i opozitës, përfaqëson një aset kombëtar. Infrastruktura në tërësi është një pasuri kombëtare, e cila duhet medoemos të qëndrojë e zhveshur nga ngjyrimet partiake, të cilat vetëm sa shtrembërojnë projektimet e reja, aq shumë të nevojshme për përmirësimin e vazhdueshëm infrastrukturor të vendit. Këto investime të mirëstudiuara, mbartin përfitime jo vetëm për lokalitetet që janë përfituese direkte, por kanë impakt edhe në ekonominë në shkallë vendi.
I tillë mendohet të jetë edhe investimi i shumëpritur, sakaq edhe i shumëvonuar, i Rrugës së Arbrit. Si përfaqësues i Qarkut të Dibrës në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe si ekonomist, jam i bindur se përfitueshmëria në rrafsh ekonomik do ta kapërcejë zonën e Dibrës. Bindje që, si rrallë ndodh në politikën shqiptare, e ndajmë bashkërisht opozitarë dhe deputetë të mazhorancës. Ndoshta, kjo dakordësi e klasës politike do të jetë tulla e parë ogurmirë e investimit në fjalë.
Si një projekt që klasifikohet ndër investimet më prestigjioze në listëpritje, pavarësisht vonesave që i kanë mërzitur jo pak banorët e trevës historike – vonesa që më kanë angazhuar vazhdimisht në mediat audiovizive e të shkruara – diçka duhet bashkëpranuar: Ky investim është strategjik, e si i tillë vlen dhe meriton të bëhet me të gjithë kujdesin e mundshëm.
Historia e tranzicionit shqiptar është e mbushur përplot me sipërmarrje qëllimmira, që pa kujdesin dhe vëmendjen e merituar, kanë rezultuar mjaft problematike. Historia e Rrugës së Kombit, si rrugëtim i pafundmë i stërzgjatjes së investimit, me të gjithë pasojat e drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit dhe llogaritë e qytetarëve shqiptarë, duhet të shërbejë si mësim themelor. E veshur me doza euforie të karakterit kombëtar dhe politik, bëri që, ngarendja për të përfunduar nxitimthi, t’u kushtojë edhe sot e kësaj dite taksapaguesve shqiptarë.
Rruga e Kombit përbën shembullin që, sado jetik e i domosdoshëm investimi (e mbi rëndësinë e një rruge të tillë as që ka vend të diskutohet), nxitimi, euforia e karakterit politik dhe ngarkesat në kurriz të transparencës mund të kthejnë në problem edhe atë çfarë paramendohej si zgjidhje e vetë problemit. Këto mësime duhen detyrimisht reflektuar në Rrugën e Arbrit. Nga të gjitha të dhënat e deritanishme, pavarësisht padurimit të natyrshëm, hapat po ndiqen në mënyrë korrekte.
Koncesionimi i një projekti të tillë, për ta bërë sa më të mirëmenduar e për t’i mundësuar një shtrirje sa më të plotë efekteve të pritshme pozitive në ekonominë lokale dhe kombëtare, kërkon detyrimisht përfshirjen e grupit teknik, përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit, Ekonomisë dhe asaj të Financave. Konglemerimi i një sërë kontributorëve vetëm sa e pasuron projektin në letër dhe në zbatim.
Për nga kujdesi i treguar deri më tani, për nga rezistenca e treguar përballë ndikimeve elektoraliste apo edhe vetë padurueshmërisë së justifikuar që tashmë na ka pushtuar ne politikanëve, si edhe popullin e Dibrës, diçka vlen të thuhet me siguri: Rruga e Arbrit është modeli i pastër si duhen organizuar e si duhet të funksionojnë koncesionet në të ardhmen: transparencë ndërinstitucionale dhe me publikun, si edhe ecje e mirëmenduar, pavarësisht presioneve të brendshme (politike) apo të jashtme (popullore).
Rruga e Arbrit, e cila mbart një historik të çmuar për çfarë toponimi sjell nga e shkuara, është e destinuar të ndërtohet në mënyrë që t’i qëndrojë historisë. Ajo duhet të shërbejë si zgjidhje e problemit shumëvjeçar e jo të shtohet në radhën shumëvjeçare të problemeve që synonin të ishin zgjidhja.
Si e tillë, Rruga e Arbrit duhet të jetë fryt i një mendimi të detajuar që reflekton kërkesat e kahershme të zonës, e jo një firmë e hedhur nxitimthi mbi letër të bardhë, frymëzuar nga kalendari i zhvillimeve elektorale. Ecuria e deritanishme e procesit është premtuese.
Top Channel