Ngjela: Reformën në drejtësi na e sollën amerikanët, ndaj hesht opozita

22/02/2016 00:00

Në pjesën e tretë të Top Story të së hënës, të ftuarit folën për reformën në drejtësi, ku avokati Spartak Ngjela përmendi një dukuri që ka ndodhur pas vizitës së Sekretarit të Shtetit, John Kerry.

“Pas ardhjes së Kerry-t opozita nuk flet më për reformën në drejtësi. E kuptuan palët që nuk është draft i maxhorancës dhe i kryeministrit dhe ka ardhur prej andej. Kur takoi opozitën i bëri të qartë që jeni kundër nesh. Pyetja është, po Rama që e ka pranuar a e ka seriozisht? Kjo është reformë që është e detyruar që të votohet sepse kështu e duan aleatët”, tha Ngjela.

Ngjela mbrojti edhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Byroja është qeni me erë, që nuk ka ngjyra politike, vetëm nuhat”, tha ai.

Avokati tha se reforma ka shkelje kushtetuese, por që sipas tij justifikohen për të luftuar mafian.

“Ajo reformë ka shkelje, por nuk goditet mafia me procedura. Është identifikuar një sistem mafioz korrupsioni në shqipëri, prandaj duhet”, shtoi Ngjela.

Ndërkohë, Çlirim Gjata vuri në dukje se ajo që nuk po debatohet për reformën dhe për Byronë Kombëtare të Hetimit është përmbajtja e ligjeve dhe cilësia e tyre që duhet të debatohen publikisht nga specialistët.

“Këtu sapo nis debati, degradon në debat politik”, tha ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta