Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi këtë të hënë një vizitë dyditore zyrtare në Suedi. Vizita e kreut të Kuvendit nisi me një takim në Ministrinë e Drejtësisë dhe Migracionit me Sekretarin e Shtetit, Lars Westbratt.
Meta dhe Westbratt diskutuan mbi situatën e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.
Sekretari i Shtetit, Westbratt theksoi se Suedia është avokate e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Europian, ndërsa Meta konfirmoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fortë suedeze në rrugën e vet integruese.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje gjithashtu se sfidat e fundit të refugjatëve, si dhe ato të terrorizmit dhe trafiqeve ilegale, që po ndjehen në të gjithë kontinentin europian, janë sfida të cilat kërkojnë më tepër solidaritet evropian, më tepër koordinim mes vendeve të BE dhe atyre në rajonin e Europës Juglindore, dhe jo mure midis vendeve.
Në përfundim, Meta u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë vlerëson maksimalisht mbështetjen suedeze ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe dëshiron intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e drejtësisë dhe migracionit, ashtu siç u provua edhe gjatë realizimit me sukses të reformës administrative territoriale, ku Suedia dha një kontribut domethënës.
Kreu i Kuvendit zhvilloi një takim edhe më Ministrin për Sipërmarrje dhe Inovacion të Suedisë, Mikael Damberg. Gjatë takimit u fol për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ku Meta shprehu vullnetin e palës shqiptare për të mirëpritur më tepër investime suedeze.
Nga ana e tij, ministri për Sipërmarrje dhe Inovacion, Mikael Damberg vuri në dukje partneritetin e qëndrueshëm mes Suedisë dhe Shqipërisë dhe theksoi se Suedia do e vazhdojë mbështetjen e saj ndaj integrimit europian të Shqipërisë.
“Vë re që kompanitë suedeze po kërkojnë të bëjnë më shumë investime në Shqipëri, por gjithashtu ne duam ta mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt BE-së për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Mendoj se Suedia është një mbështetëse shumë e madhe e Shqipërisë në këtë proces”, tha Damberg.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Shqipërisë dhe Suedisë duhet të shfrytëzohen për të rritur më tej shkëmbimet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve tona dhe ne besojmë se në të ardhmen do të kemi një bilanc shumë më pozitiv të këtyre marrëdhënieve ekonomiko-tregtare midis Shqipërisë dhe Suedisë”, theksoi Meta.
Top Channel