Këtë mesjavë Juventusi do të përballet me Bajernin e Mynihut në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve, një sfidë që vlerësohet në maksimum nga Drejtori i Përgjithshëm i Zonjës së Vjetër, Beppe Marotta, gjë të cilën ai e ka shprehur në një intervistë për median italiane.
“Ndaj Bajernit do të na duhet të luajmë në mënyrë përfekte. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë”, tha Marotta.
Më pas foli për trajnerin Allegri, duke theksuar se shumë shpejt do të diskutohet për rinovimin e kontratës së tij: “Allegri po bën një punë shumë të mirë, cikli sa ka filluar dhe ne mendojmë se do të vazhdojë. Përsa i përket rinovimit, do të takohemi me të shumë shpejt”.
Dhe së fundi, Marotta përmendi edhe merkaton e klubit torinez, duke sqaruar situatat e Pogbasë, Moratës si dhe interesin për Gundoganin: “Pogba është i rëndësishëm për ne, është një lojtar i ri dhe tek ai besojmë shumë. Përsa i përket Moratës, thuhet se Reali i Madridit ka të drejtën e riblerjes së tij. Me klubin spanjoll do të nisim shumë shpejt bisedimet, pasi e vlerësojmë Moratën. Përsa i përket Gundoganit është një futbollist që ka shumë të ngjarë të mos zgjedhë kampionatin italian për të vijuar karrierën nëse ai do të vendosë të largohet nga Dortmundi”.
Top Channel