Napoli humbi shansin ideal që të merrte kryesimin e Serisë A pasi pavarësisht impenjimit dhe publikut të “San Paolos” të denjë për finale Botërori, u ndal në shtëpi në një barazim 1-1.
Formacioni jugor nuk shkoi më shumë se një pikë kundër Milanit në një sfidë e cila u vendos që në fraksionin e parë të lojës duke mos finalizuar dot rokadën në krye me Juventusin.
Lorenco Insinje zhbllokoi rezultatin pas një goditjeje e cila u devijua duke mashtruar portierin 16-vjeçar të Milanit, Donaruma. Por, deliri i tifozëve napoletanë zgjati vetëm 5 minuta pasi pa shkuar në pushim, Bonaventura shënoi brenda zonës i lënë i lirë nga mbrojtësit vendas.
Në pjesën e dytë, Higuain dhe zëvendësuesi Mertens patën shanse që të kthejnë sfidën në favor të Napolit, por ishin të pafat në kuadratin e Milanit.
Me këtë barazim të kaltrit janë një pikë pas Juventusit kryesues, plotësisht në garë për titullin kampion.
Top Channel